Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka folur nga Berati për drejtorinë e qarkut duke evidentuar të metat dhe problematikat e vendit. Lleshaj ka theksuar luftën kundër krimit si dhe kundër lëndëve narkotike dhe është ndalur tek komisariati i Skraparit.
Lleshaj u shpreh se ka pasur element brenda radhëve të policisë që kanë shërbyer në favor të krimit.
“Ne dimë ta vlerësojmë strukturën e policisë në qarkun e Beratit. Ka pasur një vërejtje që vazhdojmë ta kemi në lidhje me Skraparin, e cila e ka gjetur dhe do vazhdojë të gjejë adresimin e duhur për të mos përsëritur asnjëherë në të ardhmen ngjarje të tilla që nuk na bëjnë mirë as ne.
Ne synojmë që të gjitha tentativat për kultivim të kanabisit në Shqipëri për vitin 2021, për ata që i gënjen mendja që mund të përfshihen në veprimtari kriminale duam t’i luftojmë në një fazë shumë të hershme. Ndaj edhe operacioni për goditjen e fenomenit do të fillojë menjëherë dhe brenda muajit janar ne do të zhvillojmë një analizë për arritjet e kryera nga strukturat e Policisë në të gjithë vendin në luftën kundër kanabisit.
Kemi patur një problem të shtuar në zonën e Skraparit, ku sivjet ka patur disa raste kultivimi, të cilat janë identifikuar dhe goditur nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit, por jo nga strukturat e Komisariatit të Skraparit. Po ka patur të implikuar, në nivele të ndryshme, nga niveli i moskryerjes së detyrës apo shpërdorimit të saj, ose edhe më tej”, tha Lleshaj.
(A.M/Faxweb.al)