Diplomati Dritan Hoti deklaroi në një lidhje Skype për Fax News se nëse 3 kryeministrat e Open Ballkan nuk do të marrin pjesë në samitin e nesërm në Bruksel, është krejtësisht e gabuar.
Hoti theksoi se priten zhvillime të mëdha, nëse Bullgaria heq veton bllokuese për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut .
“Serbia dhe Shqipëria kanë qëndrime të ndryshme dhe nuk ishte serioze që 3 vendet e Ballkanit të Hapur të refuzonin pjesmarrjen në samitin e BE-së. Kalkulë e gabuar dhe vendim jo i duhur protokollar nëse nuk marrin pjesë. Nga mënyra si veprojnë diplomatët europiane nuk do të ketë pasoja, nëse kemi zhvillim spektakolar të orëve të fundit atëherë rritet shpresa për çeljen e negociatave, që do të kishte jehonë.
Heqja e vetos bullgare, do të ishte zhvillimi i madh.E pakuptimtë që 3 vendet të mos jenë nesër në Bruksel, mendoj se është një lloj presion i pamenduar mirë.
Është një reagim indinjate më shumë, duke pasur parasysh dhe me çështjen e negociatave si shumë sensitive. Duhet të presim zhvillim spektakolar, bisedime të vrullshme të hapura dhe jo me qëllim që Bullgaria të heqë dorë nga vetoja ndaj Maqedonisë së Veriut.
Procesi ka qenë irracional, skenari që të ndahet Shqipëria nga RMV në këtë proces nuk do të ishte pozitiv”-u shpreh Hoti.