Ministri i Brendshëm por njëkohësisht edhe zv.kryeministri i Italisë, Matteo Salvini ka folur ditën e sotme për situatën në Shqipëri gjithashtu dhe për emigracionin e paligjshëm në Itali.
Në një video live nga zyra e tij, është shprehur se ka pasur një bisedë telefonike me Presidentin Meta për krizën aktuale në Shqipëri dhe mundësitë e zgjidhjes së saj.
“Pasditë të mbarë nga zyra e ministrisë së Brendshme. Kam pasur një ditë impenjative. Telefonova homologun libian. Kam dëgjuar edhe presidentin shqiptar për t’u munduar të kuptoj se si mund ta ndihmojmë një vend të vogël, fqinj dhe mik me ne.”- tha Salvini
Sa i përket kësaj bisede telefonike nuk ka asnjë informacion nga Presidenca ndërkohë që edhe vetë Salvini nuk ka zbuluar asnjë detaj lidhur me telefonatën.
Ndërkohë që Salivini një kohë të konsiderueshme në videon live i ka kushtuar dhe emigracionit të paligjshëm.
“Emigracioni nuk mund të menaxhohet nga anijet e jashtëligjshme: ne jemi të gatshëm të bllokojmë çdo lloj paligjshmërie. Kush bën një gabim, paguan. P.S. Evropa? Mungon, si gjithmonë.”-shkruan Salvini mbi përshkrimin e videos.