Gjykata e Lartë ka regjistruar dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit dhe ish-drejtuesit të policisë së Vlorës, Jaeld Çela. Në këtë gjykatë Tahiri ka kundërshtuar vendimin e Apelit të Posaçëm të 26 qershorit, që e ktheu dosjen në ngarkim të tij për rigjykim në Shkallën e Parë.
Tahiri dhe Çela i kërkojnë Gjykatës së Lartë që të pushojë çështjen dhe të rrëzohet vendimi i Apelit ndaj tyre. Relatori i çështjes në Gjykatën e Lartë do të jetë gjyqtari Ilir Panda.
Rekursi do të shqyrtohet në dhomë këshillimi dhe do të vendoset nëse do të pranohet ose jo. Në rast se prahohet do të kalojë për seancë gjyqësore, por duhet theksuar që Gjykata e Lartë është akoma në kolaps për shkak se nuk ka gjyqtarë.
Rekursi i Tahirit dhe Çelës në Gjykatën e Lartë erdhi në ditën e fundit të afatit 45 ditor të parashikuar në ligj për kundërshtim të vendimeve të Apelit. Pas vendimit të Apelit, dosja pritej të shkonte për rigjykim nga zero në Shkallën e Parë.
Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”.
Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë.(M.Q/Faxweb.al)