Shpallja e vakancës për vendin e Besnik Muçit ka bërë që Presidenti Meta të hapë garën për vendin e lënë vakant. Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë deri në datën 20 dhjetor. Pas kësaj date emrat kalojnë në KED për rënditje dhe rikthehen sërish në Presidencë. Presidenti Ilir Meta emëron anëtarin e ri brenda 30 ditësh.
Shkarkimi i Besnik Muçit nga Shkalla e Dytë e Vetting-ut, ka bërë që Gjykata Kushtetuese zyrtarisht të heqë edhe emrin e tij nga lista e anëtarëve të saj. Pavarësisht ngërçit të krijuar që prej ditës së enjte dhe kundërshtimeve të tij për t’u njohur vendimin e KPA-së, Kushtetuesja njeh vetëm 4 emra si anëtarë.
Kushtetuesja ka shpallur vakancën për vendin e lënë bosh nga Besnik Muçi dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka vonuar për të shpallur dekretin për hapjen e procedurave të aplikimit për plotësimin e kësaj vakance të parakohshme të krijuar, edhe pse nga ana ligjore ka patur shtatë ditë kohë për këtë procedurë.
Të gjithë të interesuarit për të qenë pjesë e garës do të mund të dërgojnë aplikimet e tyre pranë Presidentit deri në datën 20 dhjetor, datë e cila do të mbyllë përfundimisht procesin e aplikimeve. Nga ky moment, Presidenti i Republikës do të kalojë të gjithë emrat që kanë shfaqur interes për vendin e lënë vakant nga Besnik Muçi, pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky i fundit është i detyruar të mblidhet brenda pesë ditëve pas dërgimit të emrave nga Presidenti dhe shqyrton plotësimin e kushteve dhe të kritereve ligjore nga kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes së parë harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Pas kësaj rënditjeje pikëzimi dhe vlerësimi, emrat e kandidatëve i kalojnë edhe njëherë Presidentit të Republikës, i cili ka një afat prej 30 ditësh për të bërë dekretimin përfundimtar për emërimin e anëtarit të ri të Kushtetueses, i cili pritet të zëvendësoj Besnik Muçin. Në një kalkulim të thjesht matematikor, e gjithë procedura, duke parashikuar afatet maksimale ligjore, pritet të përfundoj në fund të muajit shkurt, duke përfshirë këtu edhe pushimet zyrtare.
Gjykata Kushtetuese aktualisht është me 4 anëtarë, por fati i njërit prej tyre akoma nuk dihet. Marsida Xhaferllari ka kërkuar nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për identifikimin korrektësisht për faktet e përcaktuara në mënyrë korrekte, që më pas sjell ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili nuk dha vendim përfundimtar për të pasi kishte humbur statusin e magjistrates, transmeton Faxweb.al
Xhaferllari kërkon nga Shkalla e Dytë e Vettingut shpalljen e vendimit përfundimtar, duke konkluduar nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, në kontrollin e figurës dhe në vlerësimin e aftësive profesionale. Nëse KPA nuk jep një vlerësim pozitiv dhe e shkarkon atë nga detyra, Kushtetuesja mbetet sërish me një anëtar më pak, me vetëm tre. Nga ai moment shpallet edhe njëherë tjetër vakancë dhe Presidenti hapë garën e të interesuarve, një procedurë e njëjtë si në rastin e Besnik Muçit. Xhaferllari pritet të përballet me KPA-në në dhomë këshillimi në datën 27 nëntor.
Për të qenë funksionale dhe për të dhënë vendime, Gjykata Kushtetuese duhet të ketë 6 anëtarë, dhe 5 prej tyre të shprehin qëndrimin e tyre pro ose kundër. Dita kur Kushtetuesja të jetë e plotësuar dhe e aftë për vendime duket mjaft e largët, dhe mundësitë janë që edhe në pranverë, Republika e Shqipërisë të mos ketë në funksion gjykatën kryesore.
(FAXWEB.AL)