Vaksina kineze në Shqipëri, sa e sigurt është? A duhet aplikuar? Këto ishin pyetjet që u ngritën sot në emisionin “Shqipëria Live”, ku për t’u kthyer përgjigje ishin të ftuar mjekë të njohur.
Nga Gjermania ishte në lidhje të drejtpërdrejtë mjekja, Aurora Meta Dollenberg, e cila tha se ka një lajm të mirë për këtë vaksinë, pasi Kina ka nisur kërkesën për certifikimin nga EMA.
“Kjo do të thotë se ato shifrat e errëta përsa i përket studimit dhe efekteve anësore, na i lehtëson edhe ne si mjek ndërgjegjen dhe sigurinë që në Shqipëri po bëhet kjo vaksinë”, tha mjekja e njohur.
E pyetur nëse nga mbron nga mutacionet e koronavirusit, Aurora u shpreh se duke qenë se është një vaksinë e prodhuar në mënyrën më tradicionale, bën të rrisë efekshmërinë e saj.
“Edhe pse ka nevojë deri në 6 javë që trupi të ketë mbrojtje, ajo ka më pak efekte anësore. Është pro popullit, më pak efekte. E rrit besueshmërinë pasi është bërë në mënyrë më tradicionale”, tha mjekja.
Aurora Meta Dollenberg shtoi se vaksinat e tjera janë të shtrenjta nga çmimi dhe ruajtja e tyre, dhe ishte e pritshme që në tregun botëror, do të dilte Kina me një produkt më të lirë, që del në treg më doza të shumta.