Rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor janë bërë aktorët kryesorë të tregjeve të drogës në rajon dhe BE, thuhet në një raport të agjencisë së Bashkimit Evropian për drogën (EMCDDA).
Agjencia e BE-së kundër drogës, EMCDDA, raportoi lidhur me veprimtarinë e grupeve nga Ballkani Perëndimor në Belgjikë dhe Holandë, ku portet si Antwerp-i dhe Roterdam-i luajnë një rol të rëndësishëm tek trafiku i drogës në BE.
Sipas agjencisë EMCDDA, rrjetet ballkanike të drogës kanë interesa të mëdha në vende si Gjermania, Italia, Spanja, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar kur flitet për tregjet e kokainës, heroinës dhe kanabisit.
Këto rrjete kanë vënë në përdorim teknologjinë e fundit për të përmirësuar efikasitetin e prodhimit të drogës, trafikimin dhe pastrimin e parave, thuhet në raport.
Këtu përfshihen pajisjet komplekse për kultivim në mjedise të brendshme, përdorimin e dronëve, shfrytëzimin e monedhave dixhitale dhe komunikimet e koduara.
Si Ballkani Perëndimor ashtu edhe vendet e BE-së shërbejnë si strehë për kriminelët që fshihen nga grupet rivale kriminale ose nga organet e zbatimit të ligjit.
“Anëtarët e rrjeteve kriminale italiane dhe turke raportohet se i shmangen drejtësisë duke u vendosur në Ballkanin Perëndimor, ndërsa organizatat kriminale ruse mendohet se janë të përfshira në aktivitete të pastrimit të parave përgjatë vijës bregdetare të rajonit”, tha agjencia e BE-së kundër drogës, EMCDDA.