Rritja e çmimeve që vijon prej muajsh ka rritur shqetësimin tek qytetarët Elbasanas. Edhe pse shumë prej tyre thonë se në mënyrë drastike kanë nisur të kursejnë madje ti mohojnë vetes edhe produktet bazike sërish nuk po ia dalin dot.
Nëse dikur me 10 mijë leke të reja blinin ushqime sa për një javë ose më tepër sot nuk blejnë dot më shumë sesa ca thërrime.
Thonë se shijen e mishit të vicit apo kafshëve të imta e kanë harruar dhe mjaftohen me pulat e supermarketeve.Përballë krizës ata shprehen se janë të pambrojtur nga shteti.
“Rrogat kanë qenë shumë të ulëta, 250 mijë quhej e madhe. Edhe cmimet kanë qenë më të pranueshme. Me fillimin e luftës në Ukrainë dhe cik më përpara krijuan një situatë që solli pasiguri te familjet, u rriten shpenzimet , u hapën probleme qiraje, strehimi. Sot ilace e drita eliminohet 100 mijë lekshi. Më para ishte më lirë. As kafe s’guxoj të hy të marrë, e pi turke. Sot me 100 mijë leke nuk blen asnjë gjë. Është bërë shumë keq, ana ekonomike përtokë. Me të keq të madh. Tani po heqim edhe vezën nga konsumi, kemi hequr edhe mishin, rrimë me ndonjë trahana përqark. Ne pensionistat e ndiejmë. Me 100 mijë lekë hanim një javë. Mishi është harruar”- thane disa prej qytetareve.
Për një qytet me nivel të ulët ekonomik si Elbasani kriza ekonomike ndjehet edhe më shumë. Papunësia ne këtë qytet shënon shifra të larta, ndërsa ndihma ekonomike nuk mjafton për të siguruar mbijetesën.