Në prag të fillimit të vitit akademik, çështje shqetësuese për studentët mbeten tarifat e larta të studimeve. Në një takim të zhvilluar në Fakultetin Ekonomik,Tiranë përfaqësues i studentëve nga senati akademik i Universitetit të Tiranës ka thënë se ky vit ka qenë i vështirë si pasojë e pandemisë, kjo gjë prek dhe studentët, një pjesë e të cilëve kanë vështirësi ekonomike, disa prej tyre humbën dhe punën.
“Duke qënë se viti 2020 është një vit pandemie Fakulteti Ekonomik ka kërkuar përgjysmim të tarifës. Në datën 9 shtator u bë mbledhja e senatit akademik ku u diskutua rreth kësaj problematike. Nga kjo mbledhje dolëm në përfundimin se Universiteti i Tiranës nuk ka kapacitetin për të kërkuar përgjysmim të tarifës ose zerimin e saj, i vetmi organ që mund ta bëjë këtë është vetëm Ministria e Arsimit. Ditën e sotme do ti drejtohemi me një shkresë Ministrisë së Arsimit, ku i kërkojmë një shtyrje të pagesës si dhe kërkesë për të paguar me këste.”, u shprehën studentët të cilët ishin të shoqëruar dhe nga pedagogia Ilirjana Kuçana
Ndërkohë edhe në Elbasan është diskutuar mbyllja e disa degëve të këtij universiteti. Aktualisht janë mbyllur 13 degë në profile të ndryshme dhe rrezikojnë të mbyllen 10 degë të tjera. Zëdhënësja e LSI Miranda Rira ka denoncuar sot mbylljen e degëve në Universitetin e Elbasanit.
Sipas Rirës arsye për mbylljen e këtyre degëve është kriteri i mesatares i vendosur nga ish-ministrja Nikolla për degët e mësuesisë. Rira, gjithashtu i ka bërë thirrje ministres se Arsimit Evis Kushi të bëjë diçka për këtë universitet.