Eksperti i Ekonomisë Selami Xhepa, në një intervistë të dhënë për gazetaren e Fax News Mirilda Tili, bëri një prognozë të dëmeve kolosale që ka lënë pas tërmeti i 26 Nëntorit, që sipas tij do të dojë të paktën një dekadë për rimëkëmbjen e plotë të pasojave.
Xhepa u shpreh se qeveria ka dështuar që të sigurojë jetët njerëzore, dhe në llogaritjen e tij të shpejtë, dëmi që do të duhet të rikuperohet është 1 miliardë euro, ose 10% e prodhimit të brendshëm bruto.
“Së pari dua të them që humbja e jetëve njerëzore është më e madhja për shoqërinë. Problemi vazhdon të mbetet prezent, e gjithë shoqëria shqiptare është duke kaluar një traumë, për shkak se kjo ngjarje ka vënë në dyshim, në pikëpyetje të gjithë strukturën që ne kemi vendosur në këto 30 vite tranzicion.
Është një çështje shumë e madhe për shoqërinë, ishte një veting që natyra na bëri për qeverisjen, që lidhen me sigurinë e jetës së individit.
Thelbi i qeverisë është të garantojë parametrat e sigurisë jetësore të individit, janë me mijëra familje shqiptare sot, që kanë humbur të gjitha kapitalet e tyre jetësore, kjo është një humbje kolosale, sot është shpejt për të folur për nja faturë financiare, gati 1 miliardë euro pasuri e cila është bërë, ose 10 % e prodhimit të brenshëm bruto. Do të duhet të paktën një dekadë për ta rikuperuar këtë humbje të madhe”, u shpreh Xhepa.
Profesori i ekonomisë këmbënguli më tej se qeveria duhet të ulet me të gjithë ekonomistët, për të marrë mendimin e tyre, sesi do të alokohen fondet, që të përballohen pasojat e tërmetit. Xhepa tha se pavarësisht solidaritetit të madh që është treguar në këto ditë pas tërmetit, paratë e grumbulluara nga organizata joqeveritare, apo nga biznesmenë të ndryshëm, nuk mund të mendohen për rindërtimin, por vetëm për garantimin e ushqimit për familjet në nevojë.
Eksperti tha më tej se ai është i mendimit që të gjithë kountribuesit, të jenë pjesë e komiteteve të rindërtimit, dhe të ketë një transparencë maksimale në përdorimin e fondeve. Po ashtu Xhepa u shpreh se do të ishte e mira, që biznesmenët që dhurojnë më shumë se 100 mijë euro, të marrin përsipër rindërtimin në mëyrë direkte të banesave, dhe jo dhënien e çeqeve në drejtim të qeverisë.
“Unë shpresoj që rindërtimet të kryhen me standardet e duhura, dhe jo si në rastin e Kalasë së Rozafës, ndërto sot dhe shembu nesër. Duke qenë se bëhet fjalë për një faturë të madhe financiare, duhet që së pari qeveria të kërkojë mënyrat e alokimit të fondeve, duhet të ketë një hapje për mendimin e ekonomistëve, ka disa që janë përmendur.
Unë mendoj se solidariteti që ne kemi treguar nuk bëhet fjalë për rindërtimin e shtëpive, është thjesht një ndihmë për të garantuar ushqim për ato familje, nuk bëhet fjalë për rehabilitimin e Shqipërisë. Unë nuk mendoj se transparenca garantohet me dy tre veta që del kryeministri. Nuk ka pse biznesmenët ti japin kesh qeverisë, të marrin përsipër që të ndërtojnë një numër x banesash, siç mori përsipër dhe presidenti turk Erdogan.
Gjithkush që dhuron më shumë se 100 mijë euro duhet të jetë pjesë e një komiteti transparence, dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes së ku do të shpenzohen ata. Qeveria duhet të kenë transparente çdo fond që ka marrë, shoqëruar dhe me mandatin e pagesës, do të ishte mëkat që paratë e dhëna nga shqiptarët të çoheshin prapë drejt një babëzie”, tha Xhepa.
Disa nga mënyrat për zgjidhje të kësaj situate, sipas Xhepës, janë dhe negociatat me FMN për të rishikuar koncensionet, si dhe rezervat në para që ka sot vendi. Sipas ekonomistit eksperienca botërore njeh dhe futjen e parasë së re në treg, po kjo do të sillte rritjen e inflacionit.
”Ka nevojë për të krijuar sërish një profil urban të vendit, duhet negociuar me FMN, duhen masa emergjente, duhen rishikuar dhe anuluar të gjithë koncensionet, që do të hyjnë në zbatim vitin e ardhshëm. Le të lëmë projektet e rrugëve dhe incerenatorëve, pasi shkollat, mund të përdoren dhe rezervat valutore të vendit
Në eksperiencën botërore ka pasur dhe emetim të një paraje të re, por që nuk rekomandohet nga ana e teorive të reja, që do të rriste inflacionin. Unë mendoj se rezervat valutore kanë kuptim për soqëritë e vjetra, ne nuk kemi armiq të jashtëm, dhe përdoren për të mbrojtur kurset e këmbimit, motivet për një rezervë të madhe nuk qendrojnë.
Nuk besoj se do të bëhet pastrim parash, me këto shifra që do të jepen për çështje bamirësie, ata që bëjnë kountribute për këto familje duhet që ti menaxhojë vetë, nuk është mirë që ti presësh qeverisë një çek prej 1 milionë e gjysmë eurosh, duhet të ketë ndihmë të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve”, u shpreh Xhepa.
Ndërkohë që lidhur me menaxhimin e situatës postërmet, Xhepa tha se Shqipëria e tregoi se nuk është gati për raste të tilla të fatkeqësive natyrore, pasi kishte mungesa të shumta të logjistikës dhe njerëzve të trajnuar.
Eksperti tha më tej se nevojitet një rritje e fondit të emergjencave, dhe kjo krizë humanitare do të ndikojë të paktën deri në buxhetin e vitit 2023.
“Të gjithë ata që janë angazhuar në këtë operacion meritojnë mirënjohje, por Shqipëria nuk është e përgatitur për të administruar çështje të kësaj natyre, që do të bëhe n më të vrullshme dhe më të dhunshme në vitet e ardhshme, pasi kemi të bëjmë me ndryshime të shumta klimaterike.
Pavarësisht se forcat tona bënë një sakrificë humane, por mbështetja logjistike, trajnimet, veshja, ndoshta dhe nga pikëpamja e organizimit, kontrastonin me forcat e huaja. Ne mësojmë shumë në afat të shkurtër, dhe e fshimë fare nga kujtesa në afatgjatë. Standardet e ndërtimit duhet të rriten, pasi kanë ardhur deri këtu duke sakrifikuar jetë njerëzore.
Situata të kësaj natyre duhet të na bëjnë që të reflektojmë në mënyrë afatgjate, duhet që të ketë rritje të fondit të emergjencave, nuk mund të përballohen situata të tilla me 5 miliardë lekë. Duhet të ketë investime permantente në logjistikë, duhet të ketë një rishikim të buxheteve të paktën deri në vitin 2023.
Siguria njerëzore duhet të jetë e para, nuk mund të ketë shpenzime të vitit të ardhshëm për make-up dhe tualete. Buxheti mund të rishikohet në vazhdimësi brenda vitit të ardhshëm, pasi kemi të bëjmë me një strukturë të re”, përfundoi Xhepa.
(E.K/Faxweb.al)