Fax News mëson detaje të reja nga arratisja e 30-vjeçarit Rigers Lala nga ambientet e komisariatit numër 1 në Tiranë, vetëm dy ditë pasi ishte vënë në pranga për armëmbajtje pa leje.
Burimet bëjnë me dije se Lala shoqërohej nga 2 efektivë të policisë për të lënë shenjat e gishtave, ndërsa paraditen e sotme pritej të dërgohej në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai ka përfituar nga mungesa e vigjilecës së policëve dhe ka arritur të largohet nga komisariati nr 1 ku mbahej që prej pasditës së 2 Janarit.
Ndërkohë që vijojnë kërkimet për rikapjen e tij, SHÇBA ka nisur punën për hetimin e rastit. Lala u arrestua për armëmbajtje pa leje pas sinjalizimit të policisë se një person lëvizte me armë në “Ali Dem”.
Në ditën kur ndodhi ngjarja, dëshmitarë thanë për Faxweb.al se i riu kishte qëlluar me armë, por ky version u hodh poshtë nga ana e Policisë.
I riu bëri rezistencë ndaj Policisë dhe tentoi që t’ia mbathte, por më pas u arrit që të kapej nga “Shigjetat”. Tashmë ai ka mundur që të largohet nga komisariati numër 1 në rrethana që mbeten për t’u sqaruar më tej në orët e ardhshme.
Derimë tani nuk ka një reagim zyrtar nga ana e Policisë për mënyrën sesi ka ndodhur arratisja e të riut, dhe nëse kemi të bëjmë me një neglizhencë nga ana e bluve që ishin duke e shoqëruar.
(E.K/Faxweb.al)