Një repezalje e vërtetë është ajo që ka ndodhur rreth mesnatës në Rinas, ku janë shoqëruar dhunshëm nga policia të paktën 30 kontrollorë të Albcontroll. Fax news ka qenë mbrëmjen e djeshme në Rinas, ku ka transmetuar live momentet e shoqërimit, por edhe një dëshmi të menaxherit të një hoteli, ku po qëndronin kontrollorët.
Ai tha se punonjësit e policise kanë shkuar pa asnjë urdhër shoqërimi, dhe se mes personave që janë çuar në komisariat janë dhe dy punonjës të hotelit. “Ishte sikur po arrestonin Bin Ladenin jo kontrollorët. Morën dhe dy punonjës të hotelit”, ishte dëshmia e menaxherit të hotelit.
Burimet saktesojnë se numri i personave të shoqëruar ka shkuar mbi 30, ndërsa mes tyre është edhe Flora Ndreca, menjëherë pasi ka dhënë intervistën e saj në emisionin e Blendi Fevziut.
Edhe pse Rama dhe Balluku u dhanë kohë kontrollorëve që të ndryshonin qëndrim deri mëngjesin e sotëm, duket se pabesisht gjatë mesnatës ata kanë vënë në jetë planin për shoqërimin e tyre, ndërkohë që prej mesditës në Rinas ka shkuar dhe ushtria.
Puna në Aeroportin e vetëm të vendit është e pezulluar prej ditës së djeshme, deri në orën 10 të paradites së sotme, dhe mbetet për t’u parë nëse një pjesë e kontrollorëve do të kthehen në punë, duke rënë pre e presionit të qeverisë.
Faxweb.al raportoi që prej mbrëmjes së djeshme se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, Tirane ka filluar hetimet per situatën e ndodhur ne aeroportin e Rinasit. Vepra penale per te cilen po hetohet lidhet me Shperdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Nga ana e oficereve të policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave te ngjarjes së ndodhur.
Po vijojnë veprimet hetimore ne drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshire në këtë ngjarje.
(E.K/Faxweb.al)