AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

REPORTAZH/ Një mëngjes në Tiranën 1 milionëshe, dëshmitare e një kohe që do të lindë paskëtaj (VIDEO)

Nga Rezear Xhaxhiu

Ky sot është një mëngjes tipik pranvere. Me shpërthime pemësh dhe lulesh, me një ajër të lehtë e aromë toke. Një nga ato mëngjeset kur ke një dëshirë te pish një ekspres ne kafen e lagjes, te vraposh tek liqeni artificial, te blesh shtypin e ditës apo te përqafosh dike qe e ke te dashur…..

Por asnjë nga këto nuk ndodh ne këtë mëngjes te Tiranes. Qyteti edhe sot është një metropol I shurdhët, memec, deri deri i frikshëm. Ka vetëm heshtje tronditëse, një heshtje ngazëlluese dhe e rreme. Një patrulle policie na lejon të kalojmë. Janë disa nga ne këta police, disa nga blutë qe kane gjithë natën në ruajtje të heshtjes dhe të vetmisë së rrugës….

Rrugëtojmë me tej përmes bulevardeve dhe rrugëve tërësisht bosh. Sheshi Ëillson është i gjithi i zhytur në heshtje, madje heshtja dhe mungesa e njerëzve duket sikur e ka dyfishuar në sipërfaqe. Një kafe “mon cheri” pak me tëj, përballë saj Sofie, bare dhe kafene që në një të dielë normale do të gumëzhinin nga aparatet e ekspreseve dhe të qeshurat e vajzave. Gjithcka është nën mbreterinë e heshtjes dhe te vetmisë. I shkretë edhe oborri I Petro Ninit. Një oborr qe duket tërësisht i shfytyruar pa të qeshurat e gjimnazistëve, parfumin e vajzave apo xhelin e djemve maturante…Diku në një stacion autobuzi Penelop Kruz ka rënë në trishtim dhe vështrimi duket sikur i shkon ne Spanjën e saj, atje ku po luftojnë me jetëvdekjen e tyre mijërat e bashkombësve të saj….Rrugëtojme heshturazi drejt Liqenit artificial…Ne te djathtën tone sheshi bosh i Artturbinës…kane ngelur vetem billborderat e shfaqjeve te fundshkurtit…atje janë të gjithë, regjisorë e dramaturgë, aktorë e punonjës skene..te gjithë ne afishe…ne pritje të një publiku që nuk dihet se kur do ti kthehet sallës….

Në do të kerkosh te mallkosh Liqenin Artificial thuaj mbetsh pa njerëz, pa vrapues e këmbësorë, pa fëmijë e pleq, pa te dashuruar që përqafohen stolave te tij. I tille ishte ai në këtë mëngjes. Një realitet surreal, i frikshëm i larget. Në hyrje te tij na pret i vetmi qen sikur kërkon te na kujtoje se gjithcka eshte day after tani tek Liqeni….pistat e vrapimit, korsitë e biçikletave, stolat këndi I lorjave dhe kafet e zbazura. Janë më shumë skena si të filmave hollivudiane me horror e fantashkencë se sa një realitet i prekshëm.

Ora po shkon drejt 8 dhe kryeqyteti vijon te ngjajë me një qenie të stërmadhe që vetëm fle…pa shenja jete, pa frymëmarrje, pa lëvizje. Përtej këtyre dyerve shtëpish private e dritare pallatesh gjithsesi ka jetë. Jetë dhe histori njerëzish të mbledhur bashkë, duke rezistuar në emër të jetës, në emër të fitores me këtë armik te padukshëm e djallëzor. Fëmijë,te rritur pleq prindër ministra deputetë, politikanë,nëna shtatzëna,të sapomartuar, të dashuruarit,student e gjimnazistë…te gjithë gjallojnë përtej këtyre dritareve e dyerve duke bërë rezistencën e tyre, luftën e tyre betejat e përditshme….Tirana 1 milionëshe është tani, në këto dite marsi, dëshmitare e një kohe tjetër qe duket se do te lindë pas kësaj beteje. E një kohe qe do te ndryshoje sjelljet tona,betejat tona raportet mes njeri tjetrit dhe qëndrimin ndaj jetës. Sepse ne kohet e vështira nuk krijohen heronjtë, në kohet e vështira thjesht zbulohet heroi brenda nesh…

A ju duket i drejtë vendimi i qeverisë Rama për të kufizuar dhe lëvizjen e këmbësorëve si masë për të parandaluar përhapjen e COVID 19?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *