Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, në një prezantim të misionit EURALIUS V, nga Pallati i Kongreseve ka lëshuar një paralajmërim për efektet që sipas saj pritet të ketë Reforma në Drejtësi.
Vlahutin ka thënë se ndryshimi do të jetë themelor, që nga respektimi i të drejtave të njeriut e deri tek lufta kundër korrupsionit.
“Me asistencën e EURALIUS, BE do të japë një ekspertizë mjaft të mirë për të drejtat e njeriut, por edhe luftën kundër korrupsionit në vend për të bërë Shqipërinë një vend me të drejta të barabarta për të gjithë. Reforma në Drejtësi është një instrument i mirë për sigurinë dhe le të besojmë që ndryshimi është i mundur, duhet durim. Nuk ka kthim pas, sistemi i drejtësisë është një realitet dhe ne jemi të duruar për të pritur ndryshimin për të ardhmen.”-ka thënë Vlahutin.
Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishme edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj si edhe Christian Lange nga Ministria Federale Gjermane e Drejtësisë.
(F.G/Faxweb.al)