Teksa prej disa ditësh radha në Kakavijë është me dhjetra kilometra, Ministria e Punëve të Jashtme, në një reagim për Fax news thotë se faji nuk është i autoriteteve doganore greke, por për shkak të tamponeve masive që po kryhen në kufi.
Në reagimin e MEPJ thuhet se tashmë qytetarët e dinë se gjatë natës lëvizja është e ndaluar, ndërkohë që ka pasur takime mes palëve greke dhe asaj shqiptare, por nuk mund të zgjidhet sa kohë që në kufi janë të vendosur dhe autoritetet shëndetësore.
“Sic edhe eshte njoftuar, gjate diteve te fundit kalimi lejohet vetem ne orarin 06:00 deri 22:00 (ora shqiptare). Nderkaq, ne Piken e Kalimit Kufitar Kakavije, ka fluks te shtuar dhe qytetaret jane detyruar te presin me ore ne radhe, si pasoje levizja po ecen shume ngadale, pasi nga ana e autoriteteve greke po kryen testime masive.
Eshte realizuar takim me drejtues te pales greke por problemi ne levizje nuk krijohet nga autoritetet policore greke apo ato doganore, por nga autoritetet shendetesore ne Piken e Kalimit Kufitar te pales greke dhe kohe. qe merr procedura e testimit. Teksa ne Piken e Kalimit Kufitar Kapshtice, puna vijon normalisht.
Iu rikujtojme qytetareve se prej dates 17 Gusht 2020, hyrja ne Greqi do te lejohet vetem me rezultatin e testit negativ te covid-19, i cili do te kryhet ne Shqiperi”, deklaron MEPJ për Fax News.
Ndërkohë si pasonjë e orëve të gjata që janë duke pritur në kufi, disa qytetarë nuk janë ndjerë mirë, dhe janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Gjirokastrës. Qytetarët shprehen se kanë me orë të tëra që presin në radhë, pa ushqim, pa ujë, dhe pa një vend ku mund të kryejnë nevojat personale.
“Banoj në Greqi, kisha ardhur për të parë mamanë dhe babanë, kam që në tre të mëngjesit që pres, na kanë thënë që është vargu 12 kilometra, nuk kemi ecur as 200 metra. Nuk kemi ku hamë, nuk ka një banjë, nuk ka asnjë kusht. Jemi të gjithë njerëzit ngjitur, shkojmë në fushë të bëjmë shurrën”, shprehet një prej qytetareve.
“Jemi të sëmurë, kemi gra pleq, nuk ka një banjë një gjë, duhet të vdesin njerëz që të lëvizin”, shprehet një tjetër qytetar, ndërkohë që Fax news ka siguruar dhe pamjet me dron, që tregojnë radhën e gjatë që kanë krijuar mjetet në Kakavijë.
Dyndja e shqiptarëve në kufi për të udhëtuar drejt Greqisë vjen pas njoftimit të autoriteteve greke për të kufizuar me 750 veta në ditë hyrjen në kufirin grek që nga e diela e 16 gushtit në pikën e Kakavijës.
Po kështu të dielën, autoritetet greke kane njoftuar se nuk do të lejojnë asnjë udhëtar të hyjë në Greqi pa analizën molekulare të “Covid 19”. Kjo ka rritur shqetësimin tek emigrantët shqiptarë që hynë nga Greqia ditët e fundit në territorin shqiptar dhe tani kërkojnë të rikthehen në Greqi pa filluar kuadri i masave shtrënguese.
Sipas të dhënave kufitare shqiptare në ditët e para të gushtit kanë hyrë ne territorin shqiptar disa dhjetëra mijëra emigrantë të cilët do të gjejnë vështirësi te sigurojnë në Shqipëri testin molekular për “Covid 19” dhe më pas të rikthehen në Greqi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme tha të mërkurën përmes një postimi në rrjetet sociale se pikat e kalimit të kufirit në Kakavijë dhe Kapshticë, nga pala greke,do të jenë të mbyllura për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë gjatë fazës së orarit prej orës dhjetë te mbrëmjes deri në orën gjashtë të mëngjesit.
Ndërkohë edhe pse ka qenë gjatë ditës së djeshme në një vizitë private në qytetin e Gjirokastrës, kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë reagim për situatën, që duket se do të vijojë edhe për ditët e ardhshme, sa kohë që ka njerëz që tashmë janë prej 48 orësh në kufi.
(E.K/Faxweb.al)