Menjëherë pas sekuestrimit të pasurive të biznesmenit Ylli Ndroqi, vijnë dhe reagimet e para nga ana e gazetarëve.
Ka qenë fillimisht Andi Bushati ai që përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ironizuar vendimin duke thënë se mbylljen e RTV ORA e kërkonte edhe qeveria para disa javësh, përmes ISHP-së.
“Në sekuestrimin e pasurive të pronarit të Ora News, Ylli Ndroqi, për shkak të aktivitetit të tij si trafikant, nuk duhet harruar edhe një detaj i vogël. Atë që po bën sot SPAK, donte ta bënte pak kohë më parë Ministria e Shëndetësisë, e cila kërkoi mbylljen e TV, pasi thërriste më shumë se dy vetë në studio,” shkruan Bushati.
Ndërkohë që gazetari Dritan Kaba e ka krahasuar vendimin për sekuestrimin e Ora News të ngjashëm me atë të Agon Channel.
Në një reagim në Facebook, Kaba shprehet se SPAK është vënë në lëvizje për pronarin e Ora News, ndërkohë nuk ka marrë asnjë masë për zyrtarët që i shkaktuan shtetin 120 milionë dëme euro me mbylljen e televizionit “Agon Channel”.
“SPAK vepron për Ylli Ndroqin, ndërsa për 120 milionë eurot që do të paguajnë shqiptarët se Edi Rama mbylli televizionin Agon fle gjumë rehat. Kjo tregon se SPAK vepron “i pavarur”, shprehet Kaba në një postim në Facebook.
Disa vite më parë me të njëjtat akuza qeveria mbylli televizionin “Agon Channel”, ndërkohë procesi shkoi në Gjykatën Ndërkombëtare dhe shteti shqiptar u dënua me 120 milionë euro.