Në qytetin e Beratit janë zbuluar disa raste të reja me COVID-19, ndërkohë që sot janë regjistruar 4 raste të prekurish me Coronavirus.
Vetëm dy prej rasteve të sotme janë kontakte të rasteve të mëparshme të regjistruara dje brenda institucionit të DSHP-së Berat,ndërkohë që 2 rastet e tjera janë raste të reja.
Mes të infektuarve të sotëm janë sërish 2 punonjës të Drejtorisë së Shëndetit Publik Berat që mendohet se janë infektuar nga rastet e djeshme që rezultuan “pozitivë” në këtë drejtori. E infektuar ka dalë edhe një infermiere nga Ura-Vajgurore e cila punon në një qendër shëndetësore në këtë bashki. Covid-19 është rikthyer sërish edhe në fasoneritë e qytetit të Beratit ku një punëtore ka rezultuar sot “pozitive”.
Ndërkohë në Shkodër janë regjistruar 11 raste të reja me COVID-19, ku ndër to është një mjeke e dalë në pension.
Sakaq në Dibër janë zbuluar 5 raste të reja me Covid-19 , 4 pjestarë të mjekut në Bulqizë. Qarku i Dibrës ka arritur në 17 persona të infektuar me Covid-19.
Këtë të enjte Ministria e Shëndetësisë raportoi 5 raste të reja, 4 prej të cilëve në Bulqizë dhe 1 rast në Dibër. Në Bulqizë mësohet se 4 rastet e reja janë familjarët e mjekut epidemiolog i cili doli pozitiv 2 ditë më parë. Ndërkohë që ka nisur hetimi epidemiologjik i kontakteve të këtyre rasteve pasi vëllai i mjekut punon në minjerën e Bulqizës. Po ashtu vijon hetimi epidemiologjik në Dibër pas shfaqjes së një rasti të ri sot.