Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar kryetarin Haradinaj që në emër të Aleancës të zhvillojë çfarëdo bisedimesh eventuale për rikonfigurimin eventual të qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit nëse kjo do vjen në rend të ditës. Këshilli Drejtues po ashtu, ka kërkuar me shumicë, që në këto bisedime, kandidat për president të jetë kryetari Ramush Haradinaj.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili teksa tregon qëndrimet e tij për menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi, apo dialogun me Serbinë, si dhe debatin e hapur në Kosovë për riformatimin e qeverisë, e ka konsideruar vendimin e Këshillit si një përgjegjësi të lartë dhe ndër të veçantë.
Reagimi i Ramush Haradinajt: Sot në takimin me strukturat udhëheqëse të Aleancës, u diskutuam për zhvillimet politike dhe qeverisëse në vend, me theks të veçantë tek menaxhimi i pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe mbarëvajtjen e koalicionit qeverisës.
Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor.
Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit. Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar.
Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)