Kryeministri Edi Rama duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet derisa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të ulet në tryezë me të për të gjetur zgjidhjen pas tërmetit.
Me anë të një statusi në “Tëitter”, Rama i thotë Bashës se po gabon duke refuzuar tryezën e përbashkët, duke e ftuar kështu në një farë mënyre sërish që të ulen bashkë.
Sipas Ramës, një pjesë e propozimeve të liderit demokrat janë të njëjta me ato të ish-ministrit Arben Ahmetaj.
“@lulzimbasha_al. Një pjesë e sugjerimeve të publikuara lidhur me bizneset e dëmtuara në Durrës, përkojnë me propozimet e hartuara nga kryetari i Komitetit Kombëtar të Rindërtimit & Ministrja e Financave. Por vazhdoj të them se refuzimi i tryezës së përbashkët është gabim i madh”, shkruan Rama.
Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama e fton Bashën të bashkohen për të mirën e vendit. Pas tërmetit, Rama i dërgoi disa mesazhe në distancë demokratit.
“U bëj apel forcave opozitare të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete. Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike”, tha Edi Rama pak ditë më parë.
(M. I./ Faxweb.al)