Sot, Partia Demokratike Dega Kukës përkujtoj një ndër figurat më antikonformiste të rregjimit monist, atë të Havzi Nelës. Kryetari Admir Sinamati në fjalën e mbajtur pas vendosjes së kurorave me lule para bustit u shpreh se është një ditë solemne për martirin e demokracisë.
“Të nderuar qytetarë të Kukësit! Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike!10 Gushti është një ditë solemne. Është ditë solemne se ka të bëjë me përkujtesën. Ka të bëjë me nderimin për Martirin e Demokracisë Havzi Nela. Dhe, Partia Demokratike do ta shohë 10 Gushtin gjithmonë si të tillë.
34 vjet ma parë regjimi obskurantist ndëshkoi me varje Havzi Nelën, Martirin tonë. Pikërisht në këtë vend ku jemi mbledhë të nderojmë Martirin. Kush ishte Havzi Nela? Ishte kundërshtar i hapur i regjimit komunist.
Rebel, antikonformist. S’u pendua asnjëherë për veprimet e veta.
Njeriu Havzi Nela – ishte intelektuali, mësuesi pasionant i gjuhë letërsisë, poeti i vargjeve të vrazhda, kryengritëse, ishte këngëtari dhe valltari. Havzi Nela, në vetevete ishte vetë LIRIA. Nderimi për të, është nderimi për vetë LIRINË.
Bash për këtë s’është vetëm i Kollovozit, s’është vetëm i Kukësit, por i krejt Shqipërisë dhe Kosovës.
Ishte rebel dhe i panënshtrueshëm në katër stinët e vitit. Me 22 prill të 67-, në Shishtavec në mbledhjen e arsimtarëve të zonës u rebelua kundër reformave të P artise shtet:
– Prishjen e kishave dhe xhamive
– Futjen në kooperativë
– Heqjen e veshjes së zones
Po në atë mbledhje deklaroi: “Tri gjilpana s’i bahen njeriut`”. Pak ditë ma vonë arratiset bashkë me bashkëshorten, Lavdije Nelën. UDB i kthen dhe ai dënohet me 15 vjet burgim, bashkëshortja me 10 vjet . Nisin vuajtjet e tij –pothuajse në krejt kampbrugjet e vendit .
Kryengritësi Havzi Nela nuk mposhtej.Nuk thyhej. Në vitin 1975 e ridënojnë me 8 vjet se kish agjituar tek të burg Frymën e Helsininkit. Pas 21 vjetësh burgim e internojnë derisa erdhi ndëshkimi fatal i 10 gushtit 1988.
Në fund po përmend fjalët e fundit të Havzi Nelës para litarit: “I keq kam qenë dhe ashtu po shkoj. Të këqijat e mija i mora me veti. Kërkoj që të afërmit e mi të trajtohen mirë, mos të merren nëpër kambë. Kam nëntëqind e dhjetë lekë dhe kërkoj që këto t’u jepen të afërmve të mi (nanës)”.
Ne përulemi para dinjitetit të Havzi Nelës. Lavdi Martirit të shquar! “-u shpreh ai. Edhe vëllai i Havzi Nelës, Shukri Nela përcolli falenderimet në emër të familjes për përkujtimin e vëllaut të tyre. “Thirrja e fundit, ah thirrja e fundit. Ka firmos babai i tij varjen e Havzi Nelës. Të kërkojë falje”-tha ai.