Të patolerueshme e ka konsideruar kryeministri Edi Rama situatën që po ndodh në aeroportin e Rinasit, ku që prej ditës së djeshme është pezulluar puna, për shkak të shpalljes së paaftësisë së përkohshme nga rreth 60 kontrollorë të Albcontroll.
Teksa vijon fushatën e tij në Gjirokastër, Rama tha se dje Shqipëria ka humbur një ngarkesë vaksinash, por nuk e specifikoi as se nga cila kompani, dhe as se nga cili shtet do të ishte nisur ngarkesa, ndërsa akuzoi kundërsharët e tij, që sipas kryeministrit nuk i kanë bërë mirë llogaritë.
“Është e patolerueshme pasi ne e kemi humbur ngarkesën e djeshme të vaksinave, kjo është realisht e dhimshme në një kohë lufte. Por sidoqoftë, nuk ka shans që forca destruktive, forca të verbëra, forca të së shkuarës që duan me çdo kusht të marrin peng të ardhmen, të na ndalin në këtë proces. I kanë bërë llogaritë gabim!”, u shpreh Rama nga Gjirokastra.
Në një njoftim të dhënë pak minuta më parë nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), Aerporti i Rinasit do të qëndrojë i mbyllur të paktën deri në orën 15 të pasdites së sotme, ndërkohë që disa prej qytetarëve janë njoftuar se pasdite mund të nisin fluturimet.
Mbrëmjen e djeshme me kërkesë të ministrit përgjegjës për Infrastrukturën dhe Energjinë u mblodh Komiteti i Mbrojtjes Civile, organi i përhershëm i Emergjencave Civile për situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga ndalimi i qarkullimit ajror nga ana e kontrollorëve të trafikut ajror.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ngarkoi me detyrë gjatë mbledhjes Belinda Ballukun, për zëvendësimin e kontrollorëve që kanë braktisur detyrën sipas zyrtarëve të qeverisë.
“Ngarkohet ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, me të huaj ose me vendas. Të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës. Ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. E kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim”, ka thënë Peleshi gjatë mbledhjes.
(E.K/Faxweb.al)