Ka mbërritur më në fund në aeroportin e Rinasit avioni “Lasgushi” i cili ka transportuar 192 mijë dozat e vaksinave kineze, që janë nisur nga Stambolli drejt Shqipërisë.
Avioni ishte parashikuar që të mbërrinte në Rinas në orën 13:00, por për arsye që nuk dihen ka pasur një vonesë prej 3 orësh. Menjëherë pas shkarkimit të vaksinave, Rama pritet ti drejtohet sheshit “Skënderbej” ku rreth orës 18:00 të pasdites së sotme pritet të nisë zyrtarisht edhe fushata e Partisë Socialiste.
Në Rinas për pritjen e vaksinave janë dërguar dhjetra ambulanca të Urgjencës Kombëtare, dhe sigurisht edhe shefi i tyre Skënder Brataj.
Në një postim të mëparshëm, Rama ka dhënë lajmin se janë nisur nga Stambolli 192 mijë doza vaksine kineze.
“Kemi siguruar 1 milionë vaksina të tjera. Kontraktuam për momentin gjysëm milionë doza brenda 60 ditësh. Sjellim sot në Tiranë 192 mijë. Për më shumë pas pak orësh në Rinas dhe kur ju them do t’ia dalim, mos e dyshoni kurrë që do t’ia dalim”, tha Rama më herët.
(E.K/Faxweb.al)