Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

Shqiptarët ”peng” i 19 të shtruarve në spital/ Si po e përdor Rama Covidin për t’i shtypur qytetarët, kërcënimi me rikthimin në pikën zero

Strategjia e qeverisë së Edi Ramës në luftën kundër Covid 19, u duk që në mëngjes, pak teste, aspak infrastrukturë e shtuar në spitale, dhe shumë terror mbi njerëzit se koronavirusi do të bënte namin, dhe se numrat e të vdekurve do ishin aq të mëdhenj, saqë nuk do të kishte vend në Sharrë dhe në Tufinë… Bëhej fjalë për të njëjtin virus që kreu i qeverisë në fillim të pandemisë në botë, do ta quante një grip të thjeshtë, dhe që do të refuzonte në çdo rast mbylljen e kufijve nga Italia mike në një kohë kur atje po shpallej zonë e kuqe.

Në ditët e para mund të themi se kjo strategji ngjiti më së miri, njerëzit u strukën në shtëpitë e tyre, dhe u mjaftuan kush me 26 mijë lekë në muaj, e dikush tjetër me 13, në një kohë që nevojat po shtoheshin dita ditës, e frika ndaj sëmundjes po i linte vendin urisë, dhe një gjendje terori që nuk bazohej te shifrat. Kishte dhe nga ata që nuk përfituan asgjë, pasi punonin në të zezë, dhe për të marrë ndonjë kokërr leku nga qeveria, nuk pranuan spiunimin, pasi me rikthimin e normalitetit do ta gjenin veten në listën e të papunëve realë.

Nëse në çdo vend të botës marrja e masave të karantinës u përkthye në shtim të testimeve, apo testime masive serologjike për të kuptuar sesa % e popullatës mund ta ketë kaluar koronavirusin, në vendin tonë testet jo vetëm që nuk u rritën, por ato u mësuan përmendsh nga ana e gazetarëve që raportojnë çdo ditë, nga 100-150 e deri në ditët më të mira e kapnin 250-tëshen.

E në fakt sa më shumë rriten testimet, aq më shumë rriten rastet, dhe aq më shumë ulet dhe rrezikshmëria e koronavirusit. Le të kuptohemi numri i të infektuarve në vendin tonë është shumë më i lartë sesa afro 900 që raporton Ministria e Shëndetësisë, duke bërë që shkalla e vdekshmërisë të bjerë shumë, aq sa vërtet do të ngjante me gripin që thoshte vetë kryeministri.

Për të mbetur te testimet, pak ditë më parë u falenderua me bujë BE-ja për ndihmën me 20 mijë kite që bëri ndaj vendit tonë, por ato nuk u dukën, ne vazhdojmë të bëjmë vetëm më pak se 200 të tilla në një ditë, ndërkohë që bota numëron me mijëra vetëm në një ditë. E kemi fjalën për ato shtete që duan ti kthehen sa më parë normalitetit…

E në një kohë që shumë prej qyteteve u hapën, dhe ndonjë ekspert, që e quan veten ende të lirë deklaron se kjo normalisht do të shoqërohet me një shtim të rasteve, por që do të ishte mirë që të kishte një ekspozim gradual të qytetarëve ndaj virusit, qeveria shqiptare është gati për skenarin B, rimbylljen e tyre. Ishte vetë kreu i qeverisë Edi Rama ai që do të deklaronte në studion e Opinion, se mund të kemi një kthim pas, në rast se rastet do të mbeten të larta, dhe Tirana për momentin nuk është në plan për zgjatjen e fashës orare.

Për ta theksuar se fjala e Ramës ishte e bazuar tek eskpertët, doli dhe minsitrja Manastirliu, e cila tha se për të mbi gjithçka është shëndeti i qytetarëve, por sërish nuk dha një numër, një shifër, që të na bënte të besonim, se vërtet ka një plan për shtim testesh, apo rritje kapacitetesh financiare.

Nëse marrim vetëm shifrat e ditës së sotme në total numri i pacientëve të shtruar është 19, prej të cilëve 4 janë në terapi intensive, dhe asnjë i intubuar. Pikërisht këtu lind pyetja, si mund të mbahen të izoluar 3 milionë banorë, në një kohë që numri i pacientëve të shtruar, megjithë shqetësimin për ta është vetëm 19, dhe numri i pacientëve të shtruar në spital bie dita ditës, që tregon mes të tjerave se agresiviteti i virusit në vendin tonë është në rënie?!

Pa dashur që të bëjmë ekspertin mjekësor, duhet thënë se shndërrimi i dy spitaleve në Covid, ka bërë që qindra pacientë të mos marrin shërbimin, ndërsa mjekë të ndryshëm thonë se pacientët me sëmundje të tjera po përkeqësohen, pikërisht për shkak se nuk kanë ku të marrin shërbim spitalor.

Nëse marrim dhe një tregues tjetër për të kuptuar strategjinë pa strategji të qeverisë, analizojmë vetëm dy qytete, një të gjelbër dhe një të kuq, ku Tirana me 1 milionë banorë shënon vetëm 4 raste të reja në një ditë, ndërkohë që Berati me pak më shumë se 50 mijë banorë, shënon 5 raste të reja, ama qytetarët atje janë të lirë që të lëvizin, pa dashur që më parë të bëjnë një xhiro në e-albania, që në fillimet e saj një Zot e di sesa i lodhi shqiptarët.

Por ky rikthim i Ramës në pikën zero, duhet trajtuar në një plan më të gjerë, sesa ai i 19 të shtruarve në spital, apo i 18 rasteve të reja. Duhet parë atje te politika, te shtypja e qytetarëve që të mos protestojnë, që të mos ngrejnë zërin, te shteti policor, dhe te marrja leje për të shkuar për të takuar familjen, për të blerë bukën, por pse jo për të shuar dhe nepsin për një krep, ku mund të të arrestojnë nëse nuk të vjen një email konfirmues, ”kërkesa jote u pranua”.

Të mësuar që vendimin për fundjavën e merrnim ditën e premte, Rama nxitoi që dje të bënte të zezë gjendjen në Tiranë, për t’iu kërkuar qytetarëve edhe nesër mbylljen, në një kohë që ka një plan nga ana e Bashkisë për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, dhe ku prania e qytetarëve është më e nevojshme se kurrë. Me planin për t’i lënë artistët të vetëm, qeveria do të mbyllë një qytetet të tërë, që fatmirësisht numëron vetëm 4 raste të reja, që në shumicën e herëve janë raste kontaktesh.

Sigurisht që analizimi i pandemisë, dhe mënyrën sesi po e përballon Shqipëria do të duhet që të bëhet një kontroll i detajuar faktesh, por ajo që mund të themi mesiguri është se asnjë shtet që ka bërë rihapje graduale, nuk është kthyer pas, as Gjermania që numëronte trefishim të rasteve në një ditë. As në Korenë e Jugut ku kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se ishin mbyllur lokalet, nuk ka ndodhur një gjë e tillë, ndërkohë që me Ramën jemi mësuar me ca fake news nëpër të, për të justifikuar veprimet e qeverisë së tij, apo të ekspertëve që i komandon po vetë.

Numri i ulët i rasteve pozitive me Covid 19 dhe jetëve të humbura në vendin tonë duhet parë në një nivel makro, pasi dhe vende të tjera të rajonit mbeten në të njëjtat shifra pa marrë masa kaq drastike mbylljeje, mbase mosha e re e popullsisë, mbase vaksina e turbekulozit, mbase e kemi kaluar valën e parë që në muajin Janar-Shkurt, siç thonë disa ekspertë, por përgjigjen për këto hipoteza do të duhet të na e jepnin mjekët, epidemiologët, dhe jo të na tundej flamuri i fitores nga ana e qeverisë. (E.K/Faxweb.al)

Fjalët Kyce

Po firmoset një peticion për ringritjen e Teatrit Kombëtare ashtu siç ishte më parë. Ju si mendoni:

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund të Lexoni

Close