Ka përfunduar vizita e kryeministrit Edi Rama në familjen Rasha, e cila ishte e treta në harkun kohor të 5 ditëve, çka tregon parehatinë e kreut të qeverisë lidhur me trajtimin e kësaj çështje.
Siç shihet dhe në pamjet e transmetuara nga Fax News, i cili qe i pari që informoi për këtë vizitë të Ramës në familjen Rasha, kryeministri ka qenë i vetëm brenda banesës, dhe nuk ka preferuar që të marrë asnjë person tjetër nga PS apo qeveria.
Makina e tij ka qendruar në hyrje të rrugicës që të çon pranë familjes Rasha, dhe menjeherë sapo ka dalë nga banesa ai ka hyrë brenda saj, pa dhënë asnjë koment për mediat, rreth asaj që mund të ishte diskutuar me familjen nga Dibra.
Ramën e ka përcjellë pak metra xhaxhai i Klodianit, ndërkohë që pjesa tjetër e familjarëve kanë qendruar brenda oborrit të banesës, ku familja ende pret njerëz për të kryer ngushëllimet për humbjen e djalit të tyre 25-vjeçar.
Kjo vizitë e Ramës në këtë familje vjen një ditë pasi qeveria akordoi një pension të posaçëm për këtë familje, të cilën babai i Klodianit tha se nuk do ta pranonte një ditë më parë.
Gazetari i Fax News Lisi Myrta, u interesua pranë familjes, për të marrë një koment të tyre për vizitën e Ramës, por ata nuk pranuan që të shpreheshin për mediat, duke thënë se tashmë i kanë mbyllur të gjitha çështjet, dhe se presin vendimin që do të japë drejtësia.
Sa i takon pensionit që iu akordua, ata kanë thënë se do ta japin për bamirësi, pasi nuk kanë nevojë për para, dhe gjatë gjithë jetës Qazim Rasha, babai i Klodianit nuk ia ka shtrirë dorën askujt, dhe i ka rritur djemtë e tij me krenari.
Familjarët kanë deklaruar gjithashtu se do kërkojë ndryshimin e akuzës nga vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes në vrasje me dashje, ndërkohë që dje e kanë quajtur të false ndjesën që u ka kërkuar në gjyq punonjësi i Policisë Nevaldo Hajderaj.
Në rast se akuza nuk ndryshon, dënimi maksimal që mund ti jepet punonjësit të Policisë është 7 vite burg, që për familjen e Klodianit duket të jetë e pamjaftueshme. Babai i të riut tha dje në një intervistë televizive se ai ka pamje filmike të momentin të vrasjes, dhe në rast se drejtësia nuk bën rolin e saj, ai do të veprojë në ditët në vijim.
(E.K/Faxweb.al)