Presidenti, Ilir Meta u shpreh se lajmet se kryeministri Edi Rama kishte ndjekur një politikë minuese ndaj Kosovës, duke vepruar në kundërshtim me interesat e kësaj të fundit.
Ai përmendi hedhjen në gjyq të Haradinajt nga ana e Ramës duke e theksuar si një fakt të rëndë. Ndërsa shtoi se nisma e Ballkanit të Hapur thjesht do ta dobësonte Kosovën dhe do të forconte Serbinë.
Ilir Meta në emisionin “Aktualitet” në Fax News: Mendoj se edhe situata në Shqipëri që është toleruar për një kohë të gjatë të degradojë në këto nivele, ka si shkak pikërisht, një koncesion që është bërë për një politikë minuese ndaj pozitës së Kosovës nga ana e Kryeministrit aktual.
Këto nuk mendoj se kanë të bëjnë me ndonjë paranojë të caktuar të askujt, por janë të bazuara në fakte dhe të vërteta.
Siç është deklarata e tij në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në mbledhjen solemne, se sipas tij në një të ardhme të shpejtë dy vendet do të kishin një President.
Pra me një mesazh të qartë, që Kosova nuk do të jetë një subjekt i pavarur në Kombet e Bashkuara.
Së dyti, hedhja në gjyq e Kryeministrit të Kosovës nga Kryeministri i Shqipërisë, nuk kanë rëndësi emrat, është një fakt, është një fakt i rëndë që regjistrohet kudo, që nuk i shërben as Kosovës, as Shqipërisë, dhe as marrjes në një konsideratë më serioze të gjithë shqiptarëve.
Pastaj kjo çështja e Ballkanit të Hapur, e Novisadit, e Mini-Shengenit, se janë ndërruar nja tre emra, është e qartë se është një iniciativë e cila synon të dobësojë Kosovën, ta paraqesë atë si një faktor jo bashkëpunues, por destruktiv.
Njëkohësisht të faktorizojë në mënyrë të pamerituar Beogradin, kur dihet, qëndrimi i tyre është shumë destruktiv për çështjen e Kosovës dhe jo vetëm.
Kemi sjelljet e tyre në raport me Malin e Zi, apo politikat e caktuara ndaj Bosnjë-Hercegovinës.
Ndërkohë, dihet që është Procesi i Berlinit, i cili është një proces solid, një proces që ka një kujdestari europiane, ka instrumente financiarë që mbështetet, ku janë të përfshira katër liritë, dhe ku Kosova është e barabartë, si gjithë të tjerët.
Kështu që këto lloj iniciativash hibride, përçarëse, synojnë thjesht të forcojnë regjimet autokratike në rajon.
Por, kurrsesi të forcojnë bashkëpunimin rajonal përmes partneritetit, dhe të përshpejtojnë integrimin evropian të vendeve tona.