Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi dhe atë që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka quajtur “korrigjim kufijsh”.
Rama tha se për këtë temë kishte një kërkesë që “të tregohemi të kujdesshëm pasi çështja është shumë delikate”.
“Kam një kërkesë miqësore, që të jemi sa më bashkëpunues, se teatri ka vend për humor. Është një temë shumë e rëndë dhe ka një peshë historike.
Po jetojmë një kohë historike dhe nuk jemi të vetëdijshëm. Po sillemi me historinë si tufë amatorësh”, tha Rama.
Rama nuk është përgjigjur prerë nëse është apo jo për “korrigjim kufijsh”.
Rama deklaroi se rreth kësaj teme ka dëgjuar vetëm ato që thotë media se “Kosova do të marrë apo do të japë liqenin apo të tjera”, por asgjë më shumë.
“Ka disa javë që dëgjj komente. Kam dëgjuar vetëm komentet e klubit mediatik shqiptar. Nuk di asgjë. Nuk kam asnjë informacion të detajuar.
Sigurisht që kam biseduar me presidentin e Kosovës, jo për detaje, presidenti ka folur publikisht dhe ka folur për korrigjim kufijsh, këtë e dinë të gjithë, unë flas për cfarë ka më tutje, nuk kemi një produkt ende”, tha Rama.
Por Rama iu referua idesë së Hashim Thaçit si një shans që duhet shfrytëzuar.
(B.H/Faxweb)