AktualitetBlogFlashKryesoreTe FunditTe GjithaVeç e Shuplakës

Rama, ‘fakiri’ dhe strategjia “5 vjet burg!”

Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar me burg nga foltorja e Kuvendit qytetarët që do të përpiqen të bllokojnë zgjedhjet e 30 Qershorit.

Ky artikulim i Ramës i fjalës burg është i disati gjatë 2 mandateve të qeverisjes, së tij ku më herët janë kërcënuar se do të futen pas hekurave dhe ata që nuk paguajnë dritat, ata që dhunojnë mjekët, ata që ndërtojnë pa leje, apo ata që shkelin vijat e bardha të fushave të blerta.

Rama tha se shqiptarët nuk mund të jenë budallenj që të përdoren nga Basha dhe Kryemadhi, ndërsa shtoi se ata persona që cënojnë zgjedhjet mund ti presin 5 vite burg.

Për analogji, Rama kujtoi dhe personat që janë burgosur pas protestave të opozitës, duke thënë se ata janë sot pas hekurave për shkak se ndoqën himnin e stonuar të Lulzim Bashës, në përpjekje për të intimiduar ndjekësit e opozitës.

“Unë nuk e di se ku do ti gjejë Luli me Monën budallenjtë që të pengojnë shumicën për të votuar. Ndalimi i zgjedhjeve dënohet nga 1 deri në 5 vite burg, me një ligj që është miratuar kur në pushtet ka qenë Sali Ramë Berisha.

Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet çdo njeriu që është në punë atëherë dënimi shkon nga 1-4 vite burg, kur ajo bëhet në bashkëpunim dënohet nga 1 deri në 5 vite burg”, u shpreh Rama.

Kur përpiqemi t’i thërrasim kujtesës dhe të risjellim deklaratat kërcënuese të kryeministrit Rama për disa vite burg për kundravajtësit e ligjit, në asnjë rast nuk mund të përmendim vijat e kuqe që ka vendosur i pari i shtetit, fjala bie për biznesmenë apo të ashtuquajturit ‘oligarkë’.

Thirrja kërcënuese është gjithmonë për popullin e thjeshtë, ‘fakirin’ që e merr me pa të voglin teklif dhe e hedh pas hekurave.

“5 vjet burg për ata që s’paguajnë dritat..5 vjet burg për vijat e bardha të fushave sportive etj. etj.!”.

Aq shpesh u artikulua prej kryeministrit tonë kjo shprehje saqë askush nuk mund ta hedhë poshtë teorinë se popullit, masës, atyre që nuk kanë kujt ti telefonojnë kur kanë policët përballë, i pushtoi frika.

Ore këta janë të çmendur, të fusin në burg“, ishte shprehja më e zakonshme pas burgosjeve të shumta të abonentëve debitorë të OSHEE-së. Pati prej tyre që vranë dhe veten në qeli.

Terrori psikologjik u shtua.

(Sa për kujtesë: Asnjë biznesmen i madh apo i mesëm nuk u prangos, ndonëse të gjithë e dimë mirë historinë e kilovatëve të faturuar në ndërmarrjet gjigante).

E ndërsa rrjetet sociale pushtoheshin nga memet sarkastike me deklaratat e kryeministrit që kërcënonte ‘fakirin’, të vetmin kundravajtës që shteti kapte skutave të paligjshmërisë, sërish njëshi i ekzekutivit dukej i rehatuar: Të paktën ata e dinë që e kam përnjëmend!

Dhe ja ku jemi sërish sot duke e ridëgjuar shprehjen e famshme.

Sërish për të njëjtët, për ata që shantazhohen aq lehtë sepse: Ore këta të fusin në burg!

Dhe kryeministri i rikthehet të njëjtit ‘sport’ që i dha disa herë medaljen e fituesit: A jeni të gatshëm ti shkoni nga pas Lulit, Monikës. Mos harroni…5 vjet burg!

I sigurt dhe kësaj here se: “Nuk e di se ku do ti gjejë Luli me Monën budallenjtë që të pengojnë shumicën për të votuar“.

Kërcënimet e mëhershme me burg:

Rama për ndërtimet pa leje- Në vendet e BE nuk ka leje ndërtimi që të zbatohen duke shkelur kushtet e lejes dhe sanksionet për shkelje si kjo, jo me kate si në Shqipëri, por më të vogla, jo vetëm që shkojë në burg shumë vetë, por ndërtesa nuk ka shanse të vihet në funksion”

Rama për energjinë elektrike- U mbyll plani i operacionit special kunder vjedhjes se energjise. 5 dite kohe per ke s’do te denohet me burg. Boll e ka pesuar kush paguan!

Rama për bastet sportive– Sot ka ardhur koha të marrim disa masa të reja në Kodin Penal, që po i përgatisim dhe janë të domosdoshme. Kush organizon bixhoz, të shkojë në burg. Nuk ka më jo po shko kape, thirre, do bëhem çun i mirë, dil, vazhdo. Jo, të shkojë në burg. Kush organizon bixhoz për të tjerët, në një vend ku bixhozi është i ndaluar të shkojë në burg.

Rama për dhunën ndaj mjekëve- Godit mjek për shkak të detyrës, godit policin për shkak të detyrës, godit, godit, godit… duke vënë në pikëpyetje një nga gurët e themelit të këtij sistemi, për të vendosur kufi mes lirisë së njërit dhe lirisë së tjetrit. Goditja për shkak të detyrës dënohet nga Kodi Penal. Por fitojnë gjithmonë ata që duhet të ndëshkohen në fakt dhe humbasin ata që meritojnë drejtësi, për shkak të gjykatave që janë ende pengje të korrupsionit. Do bëjmë ndryshime në Kodin Penal. Po bëjmë gati ndërhyrjen për moskapërcimin e vijave. Kush i kapërcen, hyn në burg.

Rama për shpifjet- Shpifja dënohet me burg në 25 vende të BE. Gjysmagjelat tanë të majmur nga xhepat e nga trutë, që kanë bërë karriera politike e mediatike duke sharë e akuzuar pa prova, s’meritojnë as 1 supë burgu!


(E.K/FAXWEB.AL)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *