Ndërkohë që kryeministri Rama vijon prej 40 minutash një fjalim në Kuvend me sulme në drejtim të Ilir Metës, duke e quajtur atë të pangopur, presidenti vijon takimet me partitë e vogla për një datë të re për zgjedhjet.
Pas pak minutash Meta do të ketë një takim me Koço Kokëdhimën, kreun e partisë Zgjidhja, dhe një prej kundërshtarëve publik të Edi Ramës. Kryeministri u shpreh i palëkundur nga data 30 Qershor, duke theksuar se zgjedhjet do të mbahen, me ose pa dëshirën e Ilir Metës.
”Ky Kuvend është i detyruar sot që të merret me një akt brutal dhe të patolerueshëm të Ilir Metës, e pyes shpesh se çfarë kërkon më shumë nga Shqipëria Ilir Meta, që ende pa mbushur 50-vjeç e ka bërë edhe kryeministër, edhe kryetar Kuvendi dhe president? Kujt më shumë se Ilir Metës i janë harruar përçarjet dhe skandalet dhe është rilindur më i burrëruar.
Kush më shumë se Ilir Meta duhet të pyeste sot shqiptarët për borxhet që iu ka lënë? Iliri është mësuar keq, që ta përqeshë fatin e tij, ta shkelmojë të mirën e tij, për tu bërë vend e pavend protagonist, ku nuk i pëlqen vendi që ka, jo president të jetë, po madje mbret të të gjitha trojeve shqiptarë ta shpallim, Ilir Meta prapë se prapë nuk do të ndalej, me pangopësinë e tij të pandalshme.
Për çfarë arsye në botë presidenti i vendit do të bëhej qesharak në dalje të paqena, për të justifikuar një budallallëk që fshin firmën e tij me një tjetër firm. Arsyeja e vetme është Ilir Meta”, deklaroi sot Rama në Kuvend.
(E.K/Faxweb.al)