Gjetan Gjetani, i cili mori mandatin nën siglën e PS-së në zgjedhjet e kaluara i është bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Deputeti Gjetani u është bashkuar strukturave të LSI-së në Lezhë ditën e djeshme në një takim ku qe prezente dhe vetë kryetarja Monika Kryemadhi.
Gjetani u përjashtua në një komunikim live nga vetë kryeministri Rama në shtator të 2018-s pas disa akuzave të deputetit se Policia e Kurbinit është e paaftë dhe ordinere, duke iu referuar dy vrasjeve të fundit që kishin ndodhur në këtë qytet, duke u marrë jetën dy të rinjve.
Mirëpo sipas kryeministri Rama ky deputet kishte bërë presion që në policinë e Kurbinit të emëroheshin njerëz të afërt të tij, dhe për këtë arsye nuk kishte më vend në PS.
“Sot nuk ka ardhur dhe ka bërë shumë mirë. Nuk ka bërë asnjë punë por ka shantazhuar dhe ka bërë presion dhe kërkon ekskluzivet për të vënë shefa policie në Kubrin. Dhe bën një deklaratë pocaqi aty, nuk duhet të jetë më në PS.
Duhet të jetë mësim për deputetet për të ndarë njëherë e mirë punën nga futja e hundëve nga ndërtimi i shtetit. Se faturat e hajdutëve në hipoteka që janë futur me mbështetje politike dhe farefisnorë nuk i marrin ata që ndërhyjnë por i merr PS. Kush ka në kokë tepsinë, është tradhtar i misionit tonë”, u shpreh asokohe Rama.