AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Qyteti Studenti do të jepet me koncesion, shtohen hotele dhe objekte të tjera private

Qyteti Studenti, kompleksi më i madh në vend i konvikteve universitare, do të rindërtohet dhe menaxhohet për 10 vitet e ardhshme nga një kompani private, përmes një skeme koncesionare, dhe do të shtohet me hotele dhe objekte të tjera private tregtare.

Këshilli i Ministrave ka shpallur dje vendimin për koncesionin, dhe ka krijuar komisionin për vlerësimin e ofertave të përbërë nga 9 anëtarë—5 anëtarë nga nga Bashkia Tiranë, 2 nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO), një nga Ministria e Arsimit dh një nga Ministria e Brendshme.

Për këtë projekt nuk ka asnjë transparencë; qeveria nuk ka bërë të ditur asnjë të dhënë për projektin, përfshi koston apo kohëzgjatjen e tij.

Exit News ka hulumtuar dhe ka arritur në përfundimin se bëhet fjalë për një projekt të paraqitur që në vitin 2015.

Atë vit qeveria zhvilloi një garë për të hartuar një projekt zhvillimor për QS-në. Në garën ndërkombëtarë morën pjesë 7 bashkime kompanish, nga të cilat u shpall fitues bashkimi i kompanive Baukuh+List+F&M Ingegneria SPA+Space Caviar+Boda+Abkons.

Projekti i Kampusit në Qytetin Studenti.

Projekti fitues parashikonte një kontratë koncesionare PPP 10 vjeçare për ndërtimin, riparimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e gjithë infrastrukturës së Qytetit Studenti me vlerë rreth 72 milionë euro.

Projekti propozonte që kampusi i ri do të ketë:

— Disa ndërtesa konviktesh dhe ndërtesa me apartamente për studentet;

— 4 fusha sportive;

— 2 palestra, një për studentët dhe një për biznes privat;

— 6 hotele, 4 për studentët dhe 2 për biznes privat;

— 1 bibliotekë;

— 1 zonë për parking, për përdorim të gjerë.

Të gjitha këto objekte do të ndërtohen në hapësirën ekzistuese të QS përfshi fushat sportive të tij. Ndërtimet private do të ngrihen mbi tokë publike që do t’i jepet zhvilluesit nga shteti si pjesë e koncesionit.

Ky propozim mbeti fillimisht në letër, por u rimor më vonë. Ai u përfshi në “Strategjinë e Zhvillimit të Qendrueshëm të Bashkisë Tiranë 2018-2022″, të miratuar në vitin 2018, ku detajohej plani i krijimit të pesë lagjeve të reja në qytet, një ndër të cilat ishte ajo e Qytetit Studenti që përfshinte rindërtimin e godinave ekzistuese dhe ndërtimin ne godinave të reja.

Këtë plan e ritheksoi më vonë Kryeministri Rama, i cili gjatë prezantimit të Paktit të Universitetit, premtoi ndërtimin e godinave të reja në QS.

Sipas strategjisë të mësipërme, të shqyrtuar nga Exit News, projekti i zhvillimit të lagjes së QS-së do të zbatohet në 4 faza:

Faza 1: Prishja e 4 ndërtesave përgjatë rrugës Pjetër Budi;

Faza 2: Prishja e 10 ndërtesave në pjesën perëndimore të rrugës Kadri Kerciku, Gramoz Pashko e Arben Broci;

Faza 3: Prishja e pjesës jugore të mensës aktuale dhe një pjesë e rrugës Arben Broci, si dhe rindërtimi pothuajse të gjitha godinave (11, 12, 13, 16,17, 20, 21, 22, 23, 24, 25, 26);

Faza 4: Prishja e pjesës tjetër të mensës; ndërtim i godinave dhe apartamenteve të reja Nr: 30, 31, 32, 33, 34, 35, 37, 38; do të ndërtohen mensa, biblioteka e re, ndërtesat e reja të fakulteteve, hotele dhe unaza rrugore e kampusit.

Sikurse shihet, projektit fillestar i vitit 2015 i është shtuar edhe një ndërtesë për një fakultet, që deri tani është menduar të jetë për Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.

Në një sqarim publik në dhjetor 2019, Nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbian Mazniku paraqiti shkurt planin e mësipërm dhe informoi se ky plan do plotësohet me investime për zgjerimin dhe rindërtimin e disa ndërtesave ekzistuese shkollore universitare, përfshi Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe atë Juridik të Universitetit të Tiranës.

Paraqitje grafike nga projekti ‘Tirana Campus”.

 

Sipas një krahasimi të bërë nga Exit News, projekti i prezantuar nga Zoti Mazniku përkon me projektin e shpallur fitues në konkursin e vitit 2015, të kompanive Baukuh+List+F&M Ingegneria SPA+Space Caviar+Boda+Abkons me disa ndryshime të vogla.

Zbatimi i planit është penguar deri tani nga problemi i strehimit të banorëve që jetonin me qira në tre godina të QS-së, godinat 15, 18 dhe 19, si dhe disa banesa të paligjshme private që prekeshin nga ndërtimi.

Por tërmeti i 26 nëntorit i dha mundësinë Bashkisë ta “zgjidhte” këtë problem duke shfrytëzuar panikun e krijuar tek njerëzit. Me një procedure të ngutur, brenda 48 orësh Bashkia Tiranë vlerësoi, mori vendim në Këshillin Bashkiak për ta prishur dhe e prishi godinën 15. Vendimi dhe prishja ishte i paligjshëm pasi inspektimi nuk e vlerësoi se godina duhej prishur. Banorët e mbetur pa strehë po mbështeten me fondet e pasojave të tërmetit. I njëjti skenar u përdor dhe për godinat 18 dhe 19.

Kështu u hap rruga për fillimin e zbatimit të planit për dhënien me koncesion të Qytetit Studenti dhe Këshilli i Ministrave shpalli garën për përzgjedhjen e kompanisë koncesionare.

Por çdo gjë mbahet në errësirë. Bashkia Tiranë nuk ka bërë transparencë se pse ajo ka zgjedhur koncesionin për ndërtimin dhe menaxhimin e kampusit, si do të jete financimi i rindërtimit dhe ndërtimeve të reja, si do të menaxhohet kampusi dhe ndërtesat me karakter tregtar brenda QS-së përfshi hotelet dhe mencat studentore, sa do të përfitojë kompania private dhe sa do të paguajnë studentët për këto shërbime.

Projekti i firmës fituese për kampusin e Qytetit Studenti.
Fjalët Kyce

A mendoni se jemi në gjendje të mbrohemi apo të menaxhojmë një 'krizë" të shpërthimit të Koronavirusit në vend?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *