Qyteti brazilian i Manaus, i cili u shkatërrua nga pandemia e koronavirusit, mund të ketë pasur aq shumë të infektuar sa që popullsia e tij tani përfiton nga “imuniteti i tufës”.
Sipas mediave të huaja, studimi botuar në faqen e internetit medRxiv, analizoi të dhënat e infeksionit me modelimin matematikor për të vlerësuar se 66 për qind e popullsisë kishin antitrupa ndaj koronavirusit të ri në Manaus, ku përhapja e pandemisë ishte aq e shpejtë sa edhe brutale.
Kjo mund të ketë qenë e mjaftueshme për të arritur pragun e imunitetit të tufës, në të cilën mjaft anëtarë të një popullate janë imune ndaj një sëmundjeje që nuk mund të përhapet më në mënyrë efektive, thanë autorët e studimit, një grup prej 34 studiuesve brazilianë dhe ndërkombëtarë.
“Shkalla jashtëzakonisht e lartë e infeksionit sugjeron që imuniteti i tufës luajti një rol të rëndësishëm në përcaktimin e madhësisë së epidemisë”, shkruajnë ata në studim, i cili ende nuk i është nënshtruar rishikimit të kolegëve.
I ndodhur në pyjet e Amazonës, Manaus ishte skena e imazheve të tmerrshme të spitaleve, varreve masive dhe kufomave të grumbulluara në kamionë frigoriferë kur pandemia ishte në kulmin e saj atje në maj.
Por vdekjet në qytetin me 2.2 milionë njerëz kanë rënë në mënyrë dramatike javët e fundit, në një mesatare prej vetëm 3.6 në ditë gjatë 14 ditëve të fundit.