Pas lajmit për heqjen e pasaportave diplomatike për lojtarët dhe stafin e ekipit të kombëtares së futbollit që mori pjesë në Euro 2016, ka reaguar ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e cila ka shpjeguar përse futbollistët duhet të dorëzojnë këto dokumente.
Xhaçka shprehet se ashtu si çdo dokument dhe pasaportës diplomatike i përfundon afati i përdorimit.
Reagimi i plotë:
Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti. Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë. Është kjo arsyeja përse djemtë tanë sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016.
(R.G/Faxweb.al)