Që prej ardhjes në pushtet në shtator të vitit 2013 kryeministri i vendit Edi Rama filloi menjëherë me reformat dhe ndryshimet e tij për vendin. Investimet në restaurimin dhe rikonstruktimin e godinave të ndryshme qeveritare nuk kanë qenë të pakta në këto afro katër vite qeverisje të tij. Rreth 10 miliardë lekë të deklaruara nga qeveria janë shpenzuar për restaurime, rikonstruktime godinash, sheshesh, rrugësh dhe fasadash. Një shumë kjo që nuk përfshin investimet e “Rilindjes Urbane” për sheshet dhe rrugët në qytetet si: Berati, Kavaja, Korça, Tepelena, Himara, Saranda, Çorovoda. Këto investime luksi kryeministri Rama i justifikon si të domosdoshme, gjë që nuk ka ndodhur për rrugët apo investime të tjera në infrastrukturë. Çfarë fasadash janë rikonstruktuar gjatë kësaj qeverisje?
KRYEMINISTRIA
Sapo mori këtë detyrë në shtator të vitit 2013 Rama menjëhere nisi rikonstruktimin e fasadës së Kryeministrisë. Nga vetë Edi Rama u deklarua se për rikonstruktimin e fasadës së saj nuk u shpenzua asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit. Sipas kryeministrit ato u bënë me një kontribut vullnetar nga biznese të ndryshme. Për këto punime nuk pati asnjëherë asnjë transparencë por u tha se u bënë me fonde të dhuruara. Nuk u përmendën kurrë kompanitë që kontribuan në këtë restaurim. Nga ajo ç’ka u vërejt nga qytetarët dhe nga fotot e publikuara në rrjetet sociale nga vetë kryeminstri Rama punimet që u ndërmorën në këtë godinë nuk ishin të pakta edhe pse vetë nga ky i fundit u cilësuan si investime sipërfaqësore.
Edi Rama i hyri me themel ndërtesës së kryeministrisë, rikonstruktim deri në detaje. U rrëzuan mure, u shqepën tapete, u ndërruan perde, u vendosën emblema, u shtruan sallone me mermerë, zbukurime, lyerje. Po kështu u arreduan mjediset e brendshme si sallat, zyrat dhe korridoret. Ajo që ra më shumë në sy ishte dhe heqja e kangjellave pasi nga vetë kryeministri ky nuk ishte më një rrethim i nevojshëm.Këto investime u justifikuan me faktin se kjo godinë është një Monument Kulture e Kategorisë së Dytë dhe pjesë muzeale e qytetit së cilës duhet t’i kushtohet vëmendje. Po a duhej që Rama t’i kushtonte një vëmendje kaq të madhe bukurisë së godinave dhe luksit në to apo duhej më mirë të merrej me shumë problematika më serioze të vendit? Vendimi është marrë dhe zgjedhja e tij është e dukshme, tani që po i vjen fundi mandatit.
SHESHI ”SHËN TEREZA”
Kjo qeveri i kushton një rëndësi të madhe jo vetëm fasadave por edhe vizitave të të huajve. Kujtojmë vizitën e Papa Frenaceskut në Shqipëri, edhe kjo i kushtoi shumë buxhetit të vitit 2014. Sheshi “Shën Tereza” ndryshoi tërësisht pamje kur erdhi Papa Francesku më 21 shtator të vitit 2014. U restaurua ky shesh me një fond me vlerë 3.3 milionë dollarë nga Bashkia e Tiranës, pasi Ati i Shenjtë aty do të mbante Meshën. U bë shembja e shatërvanit,lokaleve dhe ndërtesa përreth, u bë restaurimi i fasadave së Universitetit Politeknik, Akademisë së Arteve, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Rektoratit dhe Pallatit të Kongreseve. Një vizitë kjo historike por që i kushtoi jo pak xhepave të shqiptarëve.
MINISTRIA E BRENDSHME
Rreth 1.6 milion euro u shpenzuan nga buxheti i shtetit për restaurimin e godinës së Ministrisë së Brendshme. Një shumë kjo jo e vogël për një vend me ekonomi si kjo e jona, ofertëe cila u shpall nga Agjensia e Prokurimit Publik. Ky tender u bë publik në maj të vitit 2015. Po çfarë u rikonstruktua me kaq shumë para tek kjo godinë? U rregulluan mure, çati, riparime elektike, rregullim dritaresh, dyersh, restaurim i fasadës. Ky tender luksoz u fitua nga një kompani e vetme, ”Fusha shpk”. Oferta e punimeve nga këta të fundit u cilësua shumë e leverdisshme për shtetin shqiptar.
DREJTORIA E POLICISË SË TIRANËS
Ajo që i ranë sy Ramës ishte edhe fasada e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjatë vitit 2015 kësaj drejtorie ju dha një fytyrë e re. Sipas qeverisë rikonstruksioni i fasadës dhe ambjenteve të brendshme nuk i kushtoi asnjë lekë buxhetit të shtetit. U deklarua se gjithçka u bë krejtësisht me donacione. Policia e Shtetit, në këtë mënyrë mori një vëmendje të madhe nga Rama.
MINISTRIA E ARSIMIT
Por Rama vazhdoi më tej. Në tre gusht të 2015 nisën punimet për rikonstruktimin e Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve. Tenderi lukoz për ndërtimin e kësaj godine u fitua nga kompania “4-A-M”, me një shifër marramëndëse prej më shumë se 1 miliard lekësh. Kontrata midis tyre u lidh më 1 qershor 2016. Por shpenzimet për këtë godinë nuk ishin vetëm kaq. Një tender “i vogël” prej 1. 170.000 të rejash u dha për kompaninë “Tower” e cila mbiqyri dhe ndoqi realizimin e këtij rikonstruksioni.
SHESHET E BASHKIVE
Por jashtë vëmendjes në këto afro 4 vite nuk janë edhe bashkitë, sigurisht në aspektin e fasadave të tyre dhe sheshet e këtyre qytetev. Godina e Bashkisë së Malësisë së Madhe po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Fondi për këtë ndërhyrje kap shifrën prej 20 milion lekësh të reja, të akorduar nga buxheti i kësaj bashkie. Punimet filluan në 5 nëntor të vitit të kaluar. Ndërhyrjet konsistojnë në resaturimin e fasadës , krijimin e zyrave të përcaktuara në Këshillin Bashkiak edhe ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit elektrik dhe teknologjik.
Për qytetin e Fierit u dha një fond për ndërtimin e pedonales së këtij qyteti dhe restaurimin e fasadave të pallatëve përreth ku u ndërtua kjo pedonale. Kushtoi 200 milionë lekë të vjetra, me qëllimin e vetëm, që t’i jepej një pamje tjetër qendrës së këtij qyteti. Rikonstruktimi i Bulevardit “Jakov Xoxa” përfundoi vetëm pak muaj më parë. Investime janë bërë edhe në rinovimin e shëtitores dhe sheshit të qytetit të Beratit. Ky investim u bë nga Fondacioni Shqiptar-Amerikan i Zhvillimit dhe qeveria shqiptare. Deri më tani nuk është deklaruar ende se sa i kushtoi kjo buxhetit të shtetit. Përveç Fierit, Rilindja Urbane është shtrirë në: Berat, Kavajë, Korçë, Tepelenë, Himara, Saranda, Çorovoda etj.
Po a janë të gjitha këto shpenzime kaq të nevojshme dhe të domosdoshme për vendin tonë krahasuar me spitalet, shkollat dhe rrugët?! A duhet të jetë më e rëndësishme estetika se funksionaliteti?! Nuk duhet të harrojmë që shumë çerdhe, kopshte, shkolla 9-vjeçare, të mesme apo edhe universitete nuk kanë ende sistem ngrohje por kyejnë aktivitetin e tyre mes të ftohtit dhe sëmundjeve gripale. A do të ishte më mirë që gjithë këto shpenzime që kanë dalë nga buxheti por edhe ato që janë bërë me dhurime të shkonin për investime në godinat e këtyre institucioneve, por edhe në sistemin e mësimdhënies? Apo do të ishte më mirë sikur të shkonin për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe për të hapur vende të reja pune? Por siç thotë dhe vetë kryeministri ”S’kemi parë asgjë akoma”, për qeverinë që e meriton epitetin ”e fasadave”. Gjatë këtij viti do vazhdojnë rikonstruktime të tjera. Me një fond mbi 8 milionë euro do të rikonstuktohet Teatri i Operas dhe Baletit. (Janula Vila/Shuplaka)