Ekspertja e Integrimit, Nirvana Deliu ka dhënë një intervistë për Fax News ku ka folur lidhur me samitin që do të mbahet në Bruksel ,ku së fundmi edhe 3 liderët e “Open Balkan” konfirmuan se do të merrnin pjesë.
Deliu tha se liderët ballkanas, Rama, Vuçiç dhe kryeministri maqedonas, kërkonin të shprehnin revioltën e tyre ndaj BE-së për veton e vendosur nga Bullgaria dhe për paaftësinë për të zgjidhur këtë ngërç që kishte bllokuar procesin e integrimit.
“Tregon që procesi i integrimit europian ka shumë dimensione. Është dimensioni teknik por është edhe ai politik. Qëndrimin e tre liderve do e shihja në dy kahe. E para është ajo që është diskutuar, shenja e solidarizimit me Maqedoninë e Veriut dhe bllokimin që po i bëhet nga Bullgaria. Së dyti edhe si një sinjal dhe mesazh që këto tre vende i japin Bashkimit Europian, që nuk e ka luksin që humbasë vëmendjen dhe vullnetin e këtyre shteteve për integrimin në BE.
Gjithmonë BE është parë si e ardhmja e rajonit, por tashmë që aktorë të tjerë ndërkombëtarë janë prezentë, rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të shohë mundësinë që të ndryshojë kah. Kjo është një lloj revolte për veton bullgare por gjithashtu edhe ndaj BE-së për paaftësinë për t’i dhënë një zgjidhje këtij ngërçi që ka bllokuar procesin e integrimit”– u shpreh ekspertja.