Këto pamje vijnë nga tregu i fruta- perimeve në Elbasan. Asnjëherë nuk ka qënë më bosh se kaq.
Tregtarët thonë se më shumë sesa ndikon muaji i pushimeve është reflektim i krizës që ka përfshirë vendin. Në mënyrë të konsiderueshme qytetarët kanë ulur konsumin, pasi jetesa është bërë më e shtrenjtë.
“Puna ka rënë. Njerëzit kanë ikur. Ata që janë nuk kanë. Kështu është pothuajse përherë, njerëzit janë larguar. Rrezikojmë falimentimin, shumë mall hedhim. Qytetarët ankohen se nuk kanë, po ashtu ne i marrim shtesë. Shumë pak fitojmë në një ditë, nuk e mbajmë dot familjen me aq sa nxjerrim këtu”– u shpreh njëra prej tregtareve.
Muaji gusht është periudha kur në treg mbizotëron prodhimi vendas. Tregjet janë plot , për pasojë dhe cmimet janë më favorizuese. Pavarësisht kësaj qytetarët sërish ankohen se nuk i përballojnë. Sidomos të moshuarit thonë se kanë reduktuar konsumin.
“Është shumë e vështirë për t’u përballuar, jemi pensionistë. Çmimet vetëm rriten. Më të shtrenjtat deri më tani janë bamjet. Ndërsa produktet aziatike si ananasi nuk i blejmë.
Më të shtrenjtat janë prduktet e shportës, si për shembull vaji. Për pensionistët janë të papërballueshme, nëse nuk janë të punësuar”– thanë disa prej qytetarëve.
Shfaqja e pandemisë dhe pasimi i konfliktit Rusi- Ukrainë ndikoi drejtpërsëdrejti në shtrenjtimin e jetësës së popujve. Në vende si Shqipëria ku mbështetja financiare për shtresat në nevojë është fare minimale bën që qytetarët ta ndjejnë më shumë.