Historia me 13-vjeçaren e abuzuar seksualisht nga një 46-vjecar në fshatin Vërdovë të Pogradecin tronditi të gjithë vendin ditën e sotme. Ngjarjet e abuzimit tek të miturit nuk kanë qenë të rralla në vendin tonë, ndaj në prag të fillimit të shkollës, psikologia Entela Binjaku ka zbuluar disa prej simptomave që tregojnë se fëmija është abuzuar duke i bërë thirrjen e fortë prindërve që të kontaktojnë vazhdimisht me mësuesit kujdestarë.
“Abuzimet janë të natyrave të ndryshme. Prindi pa dashur që të hyjë në paranojë, nuk ka pse të ndihet gjithë kohës i riskuar për fëmijën e vet. Por nuk duhet të humbasë vështrimin asnjëherë nga fëmija dhe të bashkëpunojë me ata aktorë që e kanë për detyrë edukimin e fëmijës, sic është në rastin konkret shkolla.
Kuptohet fëmija i abuzuar. Ka një sërë simptomash që e tregon, mund të jenë disi më të tërhequr, komunikojnë më pak, mbyllen shpejt, janë natyra më të brishta, preken shpejt, fillojnë humbasin interesin për mësimin, humbasin gjumin, nuk dëshirojnë të komunikojnë me të tjerë, tërhiqen nga jeta sociale në kushtet e komunitetit me bashkëmoshatarët. Këto janë disa simptoma, nuk do të thotë detyrimisht që cdo fëmijë që shfaq një të tillë, është patjetër i abuzuar. Por prindërit duhet të punojnë për ta ndihmuar për atë që e shqetëson”, tha Binjaku.
Për rastin e 13-vjecares në kokë, Binjaku nuk përcakton një fajtor por thotë se të rriturit duhet ti thërrasin mendjes për të mbrojtur më të brishtët.
“Duhet ti thërrasim mendjes se cfarë po bëjmë ne të rriturit për të mbrojtur këta më të brishtët. Shpesh herë shohim që edhe në rastin sotëm vecanërisht, gishtin kokës duhet t’ia vënë të gjithë ata që jetojnë pranë këtyre familjeve që vuajnë një situatë të brishtë, natyrisht jo për faj të tyre po të rrethanave, të politikave të pazbatuara dhe kjo histori rrëfeu se cfarë indiference gjendjet në radhët tona midis të rriturve, ku është ai i plotfuqishëm i dikurshëm i njësisë së banimit”, tha Binjaku.
E pyetur se cila është kategoria më e riskuar për të rënë pre e abuzimit, psikologia u shpreh: “Sigurisht edhe unë dua të tregohem e kujdesshme që të mos zgjoj paragjykime për të kategori të ndyshme shoqërore në vendin tonë, dhe këtu e kam fjalën për fëmijë nga familje shumë të varfra, fëmijë me prindër me aftësi të kufizuara, fëmijë që jetojnë në zona të izoluara të vendit ku kanë fare pak kontakte me jetën shoqërore nga fëmijë të cilët mund të bëjnë kilometra të tëra rruge në këmbë për të shkuar në shkollë në zona që janë dhe të pabanuara që ndonjëherë mund të bëjnë rrezik. Këto janë shoqëri që bashkëpunojnë me ne.”