AktualitetFlashKryesorePolitikëTe FunditTe Gjitha

Pse u “zbut” Monika Kryemadhi?!

Aleko Kraja

Kryetarja LSI-së, Monika Kryemadhi pas disa muajsh retorike të ashpër në drejtim të qeverisë, veçanërisht kryeministrit Rama, gjatë javëve të fundit duket se i ka zbutuar tonet e saj.

Në një konferencë për shtyp mbajtur sot në selinë e LSI-së, Kryemadhi është përqendruar më së shumti në problemet sociale dhe ekonomike të vendit. Ky komunikim vjen pas një periudhe të gjatë pauze në media të një prej zërave më të fortë opozitar të paszgjedhjeve të 25 qershorit të vitit të shkuar.

Ajo çka u vu re ishte gjuha e ekuilibruar e lideres së Lëvizjes Socialiste për Integrim në trajtimin e çështjeve të nxehta të aktualitetit. Madje në një artikulim mjaft diplomatik pamë një “dorë të zgjatur” ndaj qeverisë për bashkëpunim në çështje të rëndësishme si trajtimi i shtresave më të varfra dhe integrimit të vendit.

Nga “Rama ik”, ditën e sotme dëgjuam Monika Kryemadhin të deklaronte: “Ne i ftojmë të bashkëpunojmë, ashtu si bëmë me ligjin për policinë e shtetit, pa asnjë kompleks e themi këtë se për ne ka shumë rëndësi lufta kundër varfërisë dhe nxjerra nga varfëria e 200 mijë shqiptarëve”.

Jo më shumë se dy muaj më parë të gjithë i kujtojnë tonet e larta të kryetares së LSI-së, e cila dukej se ishte një hap para Lulzim Bashës për rrëzimin e qeverisë.

Kryemadhi shprehej asokohe mes të tjerave se: “Shqiptarët e hoqën zvarrë bustin e diktatorit Enver Hoxha, por me këtë që po u bën Rama shqiptarëve do ta heqin zvarrë për së gjalli. Jemi aq shumë sa vetëm me frymë e largojmë Edi Ramën, por ne nuk duam dhunë. Ne kemi dy rrugë ose të largohen shqiptarët nga Shqipëria, ose të largohet Edi Rama. Unë kam bindjen se kostoja më e vogël dhe më fitimprurëse është të largohet Edi Rama. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të shpëtojnë nga kjo kapje”.

Përplasja kulmoi me hedhjen e çizmes nga Kryemadhi drejt kryeministit Rama në sallën e Parlamentit, gjë për të cilën liderja e LSI-së nuk ka shprehur pendesë në asnjë çast.

Por duket se kthesa e madhe e LSI-së dhe distancimi me PD-në në opozitë nisi për ligjin e Vetingut në Polici, ku LSI bashkoi votat me PS-në. Pas kësaj nuk ka pasur më as takime mes Kryemadhit dhe Bashës e as dalje të të dy liderëve apo qëndrime të përbashkëta për çështje të caktuara dhe pse nga të dy palët është theksuar se opozita vijon të qëndrojë e fortë.

Po ashtu sot Kryemadhi, e cila njihet si një nga politikanet më të drejtpërdrejta në deklaratat e saj, nuk e ceku në anjë moment kapjen rekord të 613 kg kokainë në Maminas të Durrësit.

“Mua nuk më intereson se ç’ndodh me të rinjtë në Europë, por me të rinjtë në Shqipëri. Të kesh sot të rinjtë që mbajnë vendin e parë për kokainën, ky është një nga problemet më të mëdha që ka shoqëria shqiptare”, u shpreh ajo duke lënë evazive përgjegjësitë për fenomenin.

Nga ana tjetër, PD e cila gjendet në mes të akuzave dhe presionit të nisjes së hetimeve në lidhje me lobimin rus, duket se është ‘braktisur” pak nga aleatja e re/e vjetër.

E pyetur në lidhje me këtë ajo u shpreh: ‘’Me thënë të drejtën mua më duken shumë qesharake, që të jem e sinqertë. Sot problemi më i madh nuk mund të jetë a ka bërë foto me Trumpin Lulzim Basha.
Besoj se e mbani mend që Edi Rama veshi fustan për të bërë një foto me Obamën.
Unë vetë personalisht jam kundër kompanive lobiste, sepse kanë strategjinë që “të bëj pak pis që të të pastroj nesër”. Unë besoj nga eksperienca ime, të jeni të bindur që po të jenë strukturat e investigimit do të shikoni që janë me miliona euro apo dollarë që përdoren për lobimin e Ramës në SHBA”, tha Kryemadhi.

Një tjetër sinjal “paqeje” që mbërrin nga kampi i LSI-së është dhe plotësimi i një kërkese të kahershme të kryeministrit Rama ndaj opozitës, ajo e mosbaltosjes së Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.

Vetëm pak muaj më parë Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi deklaronte se ishte e domosdoshme largimi i qeverisë Rama, ndërsa sot pamë një kurs të ri:

‘’Hapja e negociatave nuk është më një spektator në ring, por është një arbitër, që do të thotë: 1.Mospërdorimi i parave të drogës në Parlamentin Shqiptar
2.Mosndërhyrja e krimit
3.Mospërdorimi i parave të drogës në ekonominë shqiptare.
Vetëm hapja e negociatave është një antidot për ta zhbërë këtë realitet. Në letrën e komisionerit Hahn, të cilën nuk e kam bërë publike, i kam kërkuar hapjen e negociatave pavarësisht se kush e drejton Shqipërinë”, u shpreh më tej kryetarja e LSI-së.

Dikur Kryemadhi qe shprehur se “deri më 5 qershor PS na lutej për një koalicion tjetër qeverisës”, por sot duket se janë ndryshuar rolet…

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *