Kryeministri Edi Rama vendosi ta pozicionojë ish-Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafajn të 23-tin në listën e Tiranës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, pra në një vend jo të sigurtë.
I pyetur mbrëmjen e sotme në një intervistë për Neës 24, Xhafaj ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të garonte edhe i 30-ti në listë dhe shtoi se ndoshta kjo renditje është një tregues i besimit të madh që ka Rama te ai.
“Mund të jetë dhe një besim shumë i madh që zoti Rama ka tek mua, pse të mos e marrim dhe në këtë mënyrë. Nuk ka rëndësi. Mund të isha dhe i 30 dhe do merrja pjesë në këtë garë sepse unë kam një betejë të filluar dhe do ta çoj deri në fund. Do luftoja dhe do të garoja dhe sikur të isha i 30 njësoj si të isha i pari. Beteja është çuarja deri në fund e reformës në drejtësi dhe do ta bëj këtë pavarësisht kostove. I kam marrë parasysh të gjitha këto kosto.
Nuk ka rëndësi në cilin pozicion jam. E vetmja gjë që kam kërkuar në kryesi cili ishte kriteri apo standardi që ishte aplikuar. Më dha një përgjigje zoti Veliaj dhe në mbështetje të tij zoti Rama. Mbaroi shpjegimi për mua. Kam 20 vjet në PS dhe nuk gjendet një rast i vetëm që unë të kem kërkuar se ku është karrigia ku do ulem unë. Nuk gjendet një rast i vetëm që unë të kem bërë betejë për hallin tim, që të kem bërë debat në PS për interesin tim personal, për karrigen ku duhet të ulem unë.
Nuk ka asnjë rast në këto vite që unë të kërkoj të jem ministër, të shkel apo t’u vë bërryla të tjerëve për të qenë ministër. Kam bërë disa beteja elektorale dhe nuk kam asnjë betejë të humbur gjatë këtyre viteve. Nuk kam parë ku jam unë, po ku është ekipi. Beteja e madhe është me kundërshtarin. Beteja për t’u konfirmuar PS. Edi Rama është kreu i PS, në statutin e partisë është e shkruar e zeza mbi të bardhë që ka të drejtën për të qenë kryeministër”, tha Xhafaj.
(E.H/Faxweb.al)