Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi për vetëpërmbajtje, pas polemikave të fundit që kanë filluar mes dy vendeve.
Ishte Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç ai që provokoi duke postuar në Instagramin e tij një foto të hartës së Kosovës të mbuluar me flamurin serb, gjë e cila ka shkaktuar shumë zemrërim në radhët e politikanëve shqiptarë dhe jo vetëm.
Mirëpo, BE-ja bën thirrje që liderët duhet të përmbahen nga këto deklarat që dëmtojnë pajtimin mes dy vendeve.
“Bashkimi Evropian i ka ftuar gjithmonë të gjithë aktorët politikë në Serbi dhe Kosovë, sikur edhe në pjesë tjera të rajonit, që të angazhohen në veprime dhe deklarata, të cilat krijojnë dhe promovojnë atmosferën e pajtimit, stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit, e jo ta bëjnë të kundërtën”, është përgjigjur një zëdhënës i BE-së për Radion Evropa e Lirë.
“Sikur kemi thënë disa herë gjatë viteve të kaluara, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga aktet dhe deklaratat, të cilat kanë efekt të kundërt për normalizimin e raporteve dhe të punojnë që të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse”, ka thënë ky zëdhënësi i BE-së.
Në BE janë në pritje të formimit të qeverisë së re në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Thirrjet nga ana e BE-së për përmbajtje nga deklaratat nxitëse dhe veprimet që nuk janë në frymën e pajtimit kanë ardhur rregullisht sa herë që ndonjë politikan nga rajoni ka bërë veprime, të cilat kanë nxitur reagime nga palët tjera.
(E.H/Faxweb.al)