Kandidati i partisë Demokratike, në qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbahi, ka dalë në një deklaratë për mediat ditën e sotme ku ka akuzuar qeverinë e drejtuar nga Edi Rama për shkelje të kodit elektoral.
Ai ka përmendur shifra të cilat janë dhënë nga bashkitë e qarqeve të prekura nga tërmeti, brenda periudhës Mars-Prill. Sipas tij, gjatë asaj periudhe janë dhënë plot 40 milion euro për familjet e prekura nga tërmeti.
“Sipas këtyre fakteve Edi Rama në bashkëpunim me të emëruarit e tij në bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kavajës, Kamzës, Lezhës, Rrogozhinës, Vorës, Krujës, Laçait dhe Mirditës ka shpërndarë 40 milion euro edhe 2 ditë përpara datës së zgjedhjeve”
Bylykbashi e konsideron këtë si një shkelje të rëndë të kodit zgjedhor, pasi nuk lejohet përdorimi i fondeve publike në periudha të tilla para-zgjedhore. Sipas tij, këto fonde janë përdorur nga qeveria për të blerë votat e qytetarëve të prekur nga tërmeti.
“Media dhe organizata te shoqërisë civile kanë zbuluar dokumenta dhe të dhëna që provojnë se qeveria përdori dhjetëra miliona euro fonde publike për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti”.
Kandidati i PD , ka shtuar gjithashtu se kanë prova të tjera të veprimeve që Rama i ka bërë në bashkëpunim me kryetarin e partisë Social Demokrate, Tom Doshi.
“Ditë pas dite dalin në dritë fakte, prova dhe dëshmi të veprimeve të Rama-Doshit dhe bandave të tyre për të vjedhur zgjedhjet”- shtoi ai.