Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ku paraqet protokollet e unifikuara europiane të trajtimit të Covid-19 dhe i propozon disa zgjidhje qeverisë shqiptare.
Ata kanë realizuar disa konsultime falas me mjekët në të gjithë trevat shqiptare, ndaj propozojnë disa zgjidhje, të cilat përfshijnë: “Rivlerësimi ose rifreskimi i protokollëve të deritanishëm të menaxhimit të pacientëve Covid-pozitiv për të gjithë stafin mjekësor aktiv. Udhëheqje më e disiplinuar dhe efektive e shefave të pavionëve”, dhe paraqet me foto tre protokolle të unfikuara në Europë për trajtimin e Covid në ambulanca, në urgjencat e spitaleve dhe në pavionin e reanimacionit.
Letra e plotë:
Drejtuar: Zotit Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Zonjës Ogerta Manastirliu Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Për dijeni: Drejtorit të Qëndrës spitalore universitare Tiranë
Drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik
Drejtorit të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Komitetit të ekspertëve për parandalimin e përhapjes së Covid-19
LËNDA:
1-Strategjitë menaxhuese të vaksinimit të popullatës kundër COVID-19
2-Implementimi i Guideline/Protokollit europian të trajtimit të COVID-19 www.amfe-federation.eu
I nderuar Kryeministër Zoti Edi Rama,
E nderuara Ministre Zonja Ogerta Manastirliu,
Së pari dëshirojmë të vlerësojmë angazhimin tuaj dhe masat e marra gjatë javëve të fundit, si një nga mënyrat më efektive në parandalimin e përhapjes së pandemisë. Ashtu si dhe ju, ne si “Federatë e Mjekëve shqiptarë ne Europë” konsideruam si të nevojshëm angazhimin tonë si akademik të mjekësise por jo vetëm, në dobi të një trajtimi efikas dhe parandalimi të pandemisë në Shqipëri për vitin 2021. Në Europë jetojnë dhe punojnë sipas statistikave të deritanishme rreth 3000 mjekë shqiptarë, ku një numër i lartë i këtyre specialiteteve të fushave të ndryshme (infeksionistë, pneumologë, anestezistë, internistë etj) kanë kontribuar vullnetarisht në Federatë për të mbështetur me dije dhe mjete tejkalimin e pandemisë në Shqipëri.
Një punë e madhe konsideruar largësinë fizike dhe krizën pandemike që ka prekur edhe vendet europiane ku ne si mjekë kemi treguar agazhimin maksimal në shpëtimin e jetëve. Deshirojmë ashtu si edhe ju për Shqipërinë, që betejën në këtë valë të dytë ta fitojmë, si dhe një valë të tretë në vitin 2021 përmes vaksinës ta parandalojmë.
Pas Konferencës ndërkombtare të datës 6.12.2020 mes mjekëve shqiptarë nga gjithë Europa, duke përfshirë ketu eksperiencat e tyre në shtete të ndryshme, si dhe pas konsultimeve me ta mbi nevojat aktuale që paraqet sistemi shqiptar në përballjen e pandemisë, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj disa tema mjekësore dhe administrative, të cilat mund të merren në konsideratë nga ana juaj.Mbi hartiminin e një strategjie kombëtare të vaksinimit të popullatës shqiptare dhe sigurimi i dozave te mjaftueshme të vaksinës kundra COVID-19 Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë shpreh gatishmerinë e saj të asistoj me mendim ekspertësh, me protokolle përkatëse dhe lobizëm positiv në strukturat përkatëse të EU-së dhe OBSH-së.
1.Procesi i testimeve dhe despistimit të hershëm. Gjurmimi i pacientëve në pjesën ambulatore përmes testeve të shpejta aplikohet në Shqipëri në një numër shumë të ulët, edhe pse eksperienca nga shtetet europiane tregon se është një strategji themelore për ta frenuar pandeminë, pasi kështu evitohet paraqitja e panevojshme e pacientëve në ambulanca, poliklinika dhe në urgjencat spitalore. www.amfe-federation.eu
2.Parapërgatitja për vaksinimin e gjerë në popullatë Propozim Zgjidhjesh: – Hapja e qëndrave ambulatore në të gjithë vendin, ku do zhvillohet pandërprerje vaksinimi – Strukturat ambulatore dhe personeli mjekësor i tyre si Infermierët, ndihmës infermier, ndihmës farmacist etj. duhet të trajnohen dhe certifikohen për dhënien e vaksinës ndaj COVID-19 -Implementimi i Guideline/Protokollit europian të trajtimit të COVID-19
3.E një rëndësie të veçantë: Unifikimi dhe përditësimi i protokollëve të trajtimit. Kërkohet që institucionet përgjegjëse në Shqipëri të publikojnë protokollet e trajtimit. Theksojmë mungesën e strukturave organizative dhe protokollet për menaxhimin për pacientët Covid-pozitiv të trajtuar në kushte ambulatore (Mjeku i shtëpisë apo specialistë të tjerë të Poliklinikave).
4.Roli qëndror i mjekut të familjes dhe mjekut specialist ambulator: Mjeku i familjes nuk është pozicionuar në si një hallkë vendimtare në parandalimin, sinjalizimin e rasteve të dyshimta dhe në monitorimin e pacientëve në fazat e para të sëmundjes. Eksperiencat e shumë vendeve kanë treguar që mjekët e familjes dhe specialistët ambulator mund të luajnë një rol vendimtar në menaxhimin e strukturuar të pandemisë.
Propozim Zgjidhjesh: – Rivlerësimi ose rifreskimi i protokollëve të deritanishëm të menaxhimit të pacientëve Covid-pozitiv për të gjithë stafin mjekësor aktiv. Udhëheqje më e disiplinuar dhe efektive e shefave të pavionëve. Ketu ju bashkangjisim tre protokolle të unifikuara europiane për tratjimin e COVID-19 në tre instancat e sistemit shendetësor: 1- Protokolli per trajtimin e COVID në ambulanca dhe poliklinika 2- Protokolli per trajtimin e COVID në pavionin pranimi të urgjencave në spital 3- Protokolli per trajtimin e COVID në pavionin e reanimacionit në spital.