Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas protestës së sotme në fshatin Thirrë kundër ndërtimit të HEC-it që dëmton banorët e zonës.
Protesta e sotme e mbajtur nga banorët e zonës dhe disa aktivistë të LVV-së përfundoi me shoqerimin në komisariat të 33 personave mes tyre aktivistë të LVV-së, por edhe gazetari i Fax News, Preng Gjikola, i cili u mbajt padrejtësisht për 4 orë në komisariat.
LVV-ja në reagim e saj zyrtar shprehet se kandidati i saj në zonën e Lezhës për zgjedhjet e 25 prillit, Iliaz Shehu është goditur me brryll nga forcat e Policisë së Lezhës. Ajo më tej pretendon se është ushtruar presion ndaj të shoqeruarve që të nënshkruajnë deklarata të gatshme.
“33 qytetarë të zonës dhe aktivistë janë ndaluar nga Policia pas protestës në fshatin Thirrë. U është bërë presion të nënshkruajnë deklarata ku pranojnë akuza të pavërteta. Nuk i kanë nënshkruar. Nuk janë lejuar që të takojnë avokatë. Gjithashtu vajzave aktiviste të ndaluara u është bërë presion për të nënshkruar deklarata të gatshme, pa praninë e avokatit. Një efektiv ka goditur me herët me bërryl në fytyrë kandidatin Iliaz Shehu. Avokatët-aktivistë të Lëvizjes janë atje. Tre aktivistë, Policia po i arreston me akuza të rreme. Kemi dyshime që Policia po ushtron presion psikologjik e fizik ndaj tyre për të pranuar akuza të pavërteta. Ky është presion politik i drejtuar kundër LVV dhe kandidatëve të pavarur që ne i mbështesim,”-pretendon LVV.
(E.H/Faxweb.al)