Mehmet Kacolli , këpucar prej 50 vitesh ende vazhdon të punojë në këpucarinë e tij në Elbasan jo për para, por për shkak të lidhjes që ka me makinën qepëse. Sot mjeshtër Meti sic dhe i thërrasin bën vetëm qepje apo riparime dhe jo këpucë të reja pasi kostoja e këpucës së bërë me porosi kushton dhe tregu aktual e konkurron në çmim.
Ajo që e shqetëson më shumë këpucarin në moshë është fakti se zanatet nuk po trashëgohen më. Ai e mësoi zanatin nga daja e tij, por asnjë nga fëmijët apo nipërit nuk e ka trashëguar. Thotë se të rinjtë nuk kanë durim ti përkushtohen një makine qepëse.
Edhe këtë gusht këpucar Metin e gjejmë në karrigen e tij ku qendron prej gjysmë shekulli. Janë thuajse të njëjtat vegla pune që ka pasur në fillimet e zanatit të vet të pandryshuara ashtu si pasioni i tij kur edhe sot pa përtesë merr porositë dhe plotëson kërkesat e klientëve të vet. 67 vjecari ndan me ne disa detaje interesante duke zbuluar klientët e tij më të shpeshtë, por dhe cilat kanë qënë këpucët më të kushtueshme që ka riparuar.
Mehmet Kacolli në fund përcjellë një mesazh për shtetin shqiptar, por dhe të rinjtë që i qendrojnë larg zanateve.
Mes pasionit për futbollin dhe zanatit 67 vjecari nga Elbasani thotë se zgjodhi të dytën. Vertet sot nuk zotëron pasuri monetare, por thotë se shpirtin e ka plot pasi kudo e takojnë dhe përshëndesin duke vlerësuar punën dhe duart e tij të arta.