Nait Hasani, ambasadori i Kosovës në Shqipëri ka qenë në një intervistë në “Fax news” ku ka folur lidhur me zgjedhjen e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, për të cilën tha se gëzon mbështetjen e qytetarëve, por edhe të ndërkombëtarëve. Hasani tha se objektivat e vendosura nga Osmani janë të logjikshme, ndërsa foli dhe për agresionin e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.
“Zgjedhja e presidentes ishte një proces i qetë, zonja Osmani ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe të qytetarëve. Ishte një proces që duhet përshëndetur, unë presidentes që sot ka marrë detyrën i uroj sukses, pasi ka një mbështetje të madhe. Sot gjithë shqiptarët në përgjithësi e kanë një model të ndërrimit të pushteteve.
Ne kemi një Kushtetutë që jep disa mundësi zgjedhje, në sallë duhet të jenë 80 deputetë, që të jenë pjesë e procesit, pasi ndryshe vendi mund të shkonte në zgjedhje. Zgjedhja e presidentes ishte e ligjshme, një zgjedhje që u jep mundësinë njerëzve që të debatojnë, të ketë një pozitë dhe një opozitë.
Objektivat e saj janë të arsyeshme dhe të logjikshme, ndaj i urojmë dhe suksese në realizimin e detyrave. Ne Serbinë e njohim për agresionin ndaj shqiptarëve në Kosovë, 900 mijë shqiptarë janë shpërngulur, kemi më shumë se 2 mijë e 500 dëshmorë e 5 mijë të tjerë invalidë.
Serbia nuk ka kërkuar asnjëherë falje për krimet dhe gjenocidin që ka bërë në Kosovë, ka njerëz që ende nuk i dinë se ku i kanë eshtrat e familjarëve të tyre. Serbia duhet të kërkojë falje, për të pasur një normalizim të marrëdhënieve, ka qenë e përkdhellur nga BE, duhet të dënohen të gjithë ata që kanë bërë krime.
Në Hagë ne kemi presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë, me akuza që janë fabrikuar nga Serbia. Aleatët që ishin në krah të SHBA-ve dhe NATO-s gjatë bombardimeve janë sot duk u përballur në Gjykatë, dhe të tjerët nuk gjykohen, ky është një paradoks që ka ndodhur, ne besojmë në drejtëinë e Hagës, mirëpo gjykimi i tyre është i padrejtë”, u shpreh Hasani.
Sa i takon marrëdhënies së qeverisë së re në Kosovë, Hadani tha se ka premisa që ato të jenë normale.
“Ndërkombëtarët i njohin institucionet, tashmë qeveria e Kosovës, Presidenti është i hapur për bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare”, tha ambasadori, ndërkohë që u pyet dhe për procesin e vaksinimit që po ndodh në të dy vendet tona.
“Kemi pasur një mbështetje nga Shqipëria opër 500 mjekë, kemi marrë 24 mijë vaksina nga Covax, këto ditë shpresojmë që qeveria e re të blejë një sasi tjetër dozash. Shtetin shqiptar duhet ta falenderojmë në vazhdimësi për mbështetjen, bashkërisht mund tia dalim, por pa njëri tjetrin jo. Kosova ka më shumë nevojë për mbështetje, për shkak se nuk është pjesë në disa prej organizatave ndërkombëtare”, tha Hasani.
Sa i takon një vizite zyrtare të Vjosa Osmanit jashtë vendit, Hasani tha se pritet që për herë të parë ajo të vijë në Shqipëri, si një presidente me mandat të plotë.
Ambasadori dha dhe një mesazh për zgjedhjet në Shqipëri, ku kërkoi nga të gjitha palët politike që të jenë të kujdesshme, dhe të shmangen përplasjet dhe konfliktet. “Këto zgjedhje të jenë një shembull dhe një model, sa i takon standardeve, unë uroj që zgjedhjet të jenë shembull për të gjithë”, përfundoi ambasadori i Kosovës në Shqipëri.
(E.K/Faxweb.al)