Presidenti i vendit Ilir Meta njofton se mesditën e sotme do të dalë në një konferencë të jashtëzakonshme, sa i takon databases me të dhënat e qytetarëve, që janë grumbulluar nga Partia Socialiste.
Meta fton dhe trupin diplomatik në Tiranë, dhe veçanërisht misionin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR që të ndjekin këtë konferencë, ku presidenti do të shtrojë një sërë pyetjesh për SPAK, kryeministrin dhe për të gjithë atë që kreu i shtetit e quan ”aparati i fuks-shtetit”.
Njoftimi nga presidenca:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta i fton të gjithë qytetarët e survejuar dhe trupin diplomatik në Tiranë, në veçanti Misionin Vëzhgues të OSBE-ODIHR, ta ndjekin LIVE në ora 12:45 në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku do të prezantojë pyetje shumë të qarta për SPAK, për Kryeministrin në largim dhe për aparatin e FUKS-SHTETIT.
Transmetim LIVE edhe në faqen zyrtare të Presidentit Meta në “Facebook”.
Që prej ditës së parë të publikimit të shkrimit në media, se PS ka një database me të dhëna konfidenciale për qytetarët, Meta ka paralajmëruar se institucioni i presidentit do të paraqesë prova si funksionon ky ”rrjet”, e duket se sot ato do të bëhen publike.
Ka dyshime të forta që të dhënat që ka PS të jenë marrë nga protali e-albania, që në fakt përbën dhe një shkelje të hapur të të privatësisë së qytetarëve, dhe mund të përbëjë një precedent të rrezikshëm të vjedhjes së të dhënave.
Vetë Rama jo vetëm që e ka pranuar këtë database, por dje publikisht ka falenderuar një prej hallkave të këtij sistemi ‘patronazhistët” që sipas tij kanë mbledhur të dhëna të imtësishme për qytetarët, e madje në mënyrë vullnetare, pa marrë para në shkëmbim.
(E.K/Faxweb.al)