Presidenti i Dhomës Britanike, Zenel Hoxha, u shpreh se bizneset e huaja kur vijnë në Shqipëri përballem me një terren shumë të vështirë.
Në një i lidhje “skype” me emisionin “Eko Fax” të drejtuar nga gazetarja Mirilda Tili, Hoxha tha se mentaliteti shqiptar, kryesisht ai politik, lë shumë për të dëshiruar sa i takon klimës së biznesit.
Eksperti kritikoi qeverinë shqiptare duke thënë se orientimi i saj kryesor ka qenë drejt lindjes, duke lënë mënjanë aleatët kryesorë të Shqipërisë.
“Kur vjen puna te bizneset e huaja, kur vijnë në Shqipëri gjejnë një terren shumë të vështirë. Mentaliteti shqiptar mbetet i njëjtë. Fatkeqësisht vitet e fundit orientim i qeverisë ka qenë drejt orientit”, tha ai.
Ai theksoi se ai personalisht ka pasur eksperienca të hidhura pasi kompanitë që kanë ardhur në Shqipëri, nuk kanë gjetur frymën e duhur për të bërë biznes. Hoxha theksoi më tej se për Shqipërinë është krijuar imazhi i korrupsionit dhe kjo gjë ndikon tek bizneset e huaja.
Një nga problemet më të mëdha që ka sot Shqipëria për z. Hoxha janë skemat e investimeve me anë të PPP-ve, të cilat nisin të aplikohen në terren pa pasur një projekt se sa do të kushtojë ai.
“Në këto vite kemi eksperienca të hidhura personalisht dhe ato që kanë ardhur përmes dhomës britanike në Shqipëri. Në Shqipëri çdo gjë është e centralizuar, duhet patjetër, që gjërat të shkojmë dhe të kenë miratimin e njëshit. Janë një standard, që nuk përmbushen me ato britanike. Projektet e PPP-të nuk janë konsultuar me ekspertë, por ka nisur puna pa asnjë lloj projekti dhe kjo është një traditë e krijuar në këto 15 vite e fundit në vendin tonë dhe për pasojë kostot e tyre kanë qenë të jashtëzakonshme. Rezultati është që në 2022 numri i operatorëve ekonomikë nga vendet aleate është në minimum, po themi se janë në përqindje të papërfillshme. Është babëzia e pushtetarëve për t’u pasuar në kohë rekord në kurriz të qytetarëve dhe për ta lënë Shqipërinë në këtë gjendje që është sot”, tha ai.