Policia e shtetit dyshon se ka rrjedhje të sekretit hetimor për sa i përket atentatit të bujshëm me eksploziv ndaj Preg Gjinit.
Pikërisht një muaj nga shpërthimi i një automjetit në rrugën “Vasil Shanto” në kryeqytet ku mbeti i plagosur Preng Gjini, policia dhe prokuroria nuk kanë ende një emër personi të dyshuar.
Fillimisht dyshimet u hodhën për të afërmit e Kastriot Reçit, i vrarë pak muaj e parë ne Rreshën, por alibia e të dyshuarve nga të afërmit e tij për ditën e ngjarjes, kjo e faktuar me dëshmitarë dhe me dokumentacion, ka bërë që grupi hetimor të kërkojë prova të reja për autorët e shpërthimit.
Këqyrja e kamerave të sigurisë të në zonën ku ndodhi ngjarja në urën pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re, përveçse kanë fiksuar shpërthimin, kanë kapur edhe veprimet e dyshimta të një personi, i cili ishte larguar me shpejtësi nga vendgjarja dhe që mbante një çantë shpine.
Madje në lajmet e nxjerra në media përflitej se prokuroria ishte shumë pranë identifikimit të personit që shtypi telekomandën e shpërthimit që tronditi Tiranën. Personi në fjalë, i cili për momentin duket se është kyç për hetimet, është fiksuar edhe nga kamera të tjera të zonës duke qëndruar në afërsi të vendit të ngjarjes para shpërthimit.
Po ky informacion i dalë në media jo vetëm nuk ka identifikuar personin që largohet me shpejtesi deri tani, por ka sjellë edhe ndëshkim për efektivet e grupit hetimor, të cilët janë proceduar me vërejtje për nxjerrje sekreti. Bëhet fjalë për 20 agjentë që janë ndëshkuar. Gazeta “Shqip” ka mësuar se vërejtje kanë marrë agjentët e krimeve në drejtorinë e Policisë së Tiranës edhe ata të komisariatit nr.2, për emrin e nipit të Kastriot Reçit që doli në media.
Ndërkohë 51-vjeçari, Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur,është dërguar për kurim në Turqi por para largimit ai mohoi që të ketë patur konfikte që mund të kenë çuar në ngjarjen e rëndë.