Kur kanë kaluar rreth 17 orë nga shpërthimi me tritol që tronditi mbrëmjen e djeshme Tiranën, dhe ku mbeti i plagosur 50-vjeçari Preng Gjini, Policia e Tiranës nuk ka ende një njoftim zyrtar për rastin, që duket se është një zgjatim i hakmarrjeve mes dy familjeve Gjini dhe Reçi në Rrëshen.
Burime nga Policia e Tiranës konformojnë për Fax News se deri tani policia dhe grupi hetimor janë shumë larg gjetjes së provave konkrete që mund të çojnë deri tek emrat e autorëve. Gjithsesi, po punohet në mënyrë të plotë me pistën e konfliktit midis familjeve Gjini dhe Reçi.
Burime të Fax News kanë konfirmuar se ditën e djeshme, pas mbërritjes në spital të 51-vjeçarit dhe identifikimit të tij është kryer një krahasim i ADN-së së tij me provat e mbledhura në ndërtesën ku një snajperit ekzekutoi në fund të muajit janar Kastriot Reçin në Rrëshen.
Burime konfirmojnë se ADN e gjetur në atë ndërtesë dhe ADN e Preng Gjinit nuk përputhen dhe rezultati është negativ, çfarë do të thotë se policia nuk ka akoma asnjë provë që mund të implikoj Gjinin në atentatin ndaj Kastriot Reçit.
Një tjetër detaj në lidhje me identifikimin e Preng Gjinit me shumë vonesë nga policia gjatë mbrëmjes së djeshme, kjo ka ndodhur për shkak se në portofolin e tij dhe në automjet nuk është gjetur mjet identifikimi i tij dhe as dokumenta të mjetit. Identifikimi është bërë vetëm përmes shenjave të gishtave, të cilat i janë marrë në Spitalin e Traumës.
Burime brenda Traumës tregojnë për Fax News se momentalisht Preng Gjini ndodhet në sallën e operacionit për ndërhyrje në një dëmtim që ka në dorë. Që minutat e para pas ndërhyrjes së mbrëmshme, Gjini është përmendur. Mbrëmë ka bërë ndërhyrje në organet e brendshme dhe për shkak të dëmtimeve i janë hequr një pjesë e zorrëve.
I njëjti burim thotë se Gjini ka një dëmtim të syrit të djathtë, ku do ti nënshtrohet edhe për këtë një operacioni. Pra operacioni vijon për dorën dhe do të bëhet një tjetër për syrin. Ka kaluar çdo rrezik për jetën dhe mjekët janë optimist se do ta kalojë pa asnjë pasojë të parikuperueshme.
Tritoli i është vendosur mjetit në sediljen e pasagjerit, pasi Gjini udhëtonte gjithnjë i shoqëruar dhe rrallë e ngiste vetë makinën. Autorët e kanë ditur këtë fakt dhe ndaj është vendosur në një pozicion të tillë lënda plasëse.
Mjekët thonë se raste të ngjashme të atentateve me tritol, kanë pasur pasoja dramatike me humbje jete ose dëmtime të parikuperueshme, për shkak se kur objekt kanë qenë drejtuesit e mjeteve, lënda vendosej nga krahu i shoferit. Preng Gjini për këtë detaj konsiderohet me fat nga bluzat e bardha teksa thonë se ka qenë pikërisht ky detaj që i ka shpëtuar jetën.
Vendosja e lëndës plasëse, e cila për shkak të fuqisë dhe intensitetit të shpërthimit është përllogaritur të jetë të paktën më shumë se 400g, mbi gomën e anës së pasagjerit i ka kursyer jetën 51-vjeçarit Preng Gjini. Në vëzhgimin e mjetit, pavarësisht shpërthimit katastrofik, ana e shoferit është relativisht më pak e dëmtuar, çka tregon se 50-vjeçari, dikur punonjës i gardës ka qenë me fat.
(E.K/Faxweb.al)