I ftuar në studion e Fax News, në emisionin “ Natë me Xhaxhiun” mbrëmjen e sotme ka qenë Adriatik Alimadhi, kryetar i Ballit Kombëtar dhe njëkohësisht deputet i opozitës.
Alimadhi ka folur në lidhje me Ballin Kombëtar si force politike si dhe vendimin që mori për të qenë në Parlament si një ndër deputetët e rinj të opozitës.
I pyetur në lidhje me mospjesëmarrjen e Ballit Kombëtar në koalicionin e opozitës, Alimadhi shprehet se “arsyeja pse nuk kanë qenë pjesë nuk është për faktin se ata nuk kanë dashur, por sepse e tillë ka qenë zgjedhja e Partisë Demokratike.”
Në lidhje me faktin se pse Balli Kombëtar si një parti politike nuk është parë me seriozitet nga Partia Demokratike, deputeti shprehet se: “Unë e kam ndjekur me kujdes bashkëpunimin me Partinë Demokratike, kam dashur sinqerisht të bashkëpunojë, ajo është bota ime shpirtërore, ajo është fryma që ka transmetuar Balli Kombëtar (fryma demokratike), por që realisht nuk e kam gjetur këtë bashkëpunim. Kjo ka të bëjë edhe me vendimarrjen tonë të momentit për marrjen e mandatit të deputetit të Ballit Kombëtar. Shkaku për këtë sjellje politike nuk jam unë, por vetë politika në Shqipëri që e ka humbur atë seriozitetin e vetë”.
I pyetur se nëse Balli Kombëtar është përdorur nga Partia Demokratike si forcë politike në zgjedhjet e 2009, 2013 apo 2017, Alimadhi përgjigjet: “ Absolutisht jo! I kam thënë Partisë Demokratike për të kuptuar se kush është identiteti, kush është qëndrimi i Ballit Kombatar, për t’iu thënë atyre se ne kemi dashur të bashkëpunojmë me ju, por ju nuk e keni dashur një gjë të tillë.”
Përsa i përket marrëveshjes së 2005 me Partinë Demokratike për bashkëpunim, në lidhje me arsyet se pse ajo nuk i qëndroi besnike kësaj marrëveshje, Alimadhi shprehet: “Vetë PD-ja na ka propozuar një bashkim me Ballin Kombëtar me qëllim që këto dy parti të ecnin nën një sigël. PD-ja e lidhi këtë marrëveshje me ne si dhe me Ballin Kombëtar Demokrat. Mirëpo PD-ja na e sjell marrëveshjen 2 ditë pasi kishte kaluar afati zgjedhor pranë KQZ-së. E firmosa marrëveshjen e bërë me Berishën, por nuk u pranua nga KQZ-ja. Për këtë mund t’ju them që ka qenë një skenar i qartë dhe i pastër që Balli Kombëtar të mos kishte përfaqësi në Parlamentin shqiptar.”
Sipas kreut të Ballit Kombëtar, arsyeja se pse qytetarët duhet të votojnë për këtë parti politike është për shkak të programit që ajo ka, ku sipas Alimadhit boshti i orjentimit të politikave të kësaj partie është kthimi në identitet kombëtar, kauza kombëtare.
I pyetur në lidhje më kryesimin e tij në Ballin Kombëtar prej 15 vitesh dhe faktin se pse nuk janë bërë ndryshime në lidhje me kreun e partisë, Alimadhi shprehet se ai është “një njohës i mirë i interesave të kësaj partie, në përputhje me identitetin dhe programin e saj, prandaj edhe qëndron ende si kryetar i saj, mirëpo nuk kishte ndonjë kundërshtim të largohet nëse strukturat e partisë ia kërkojnë një gjë të tillë.”
Në lidhje me cilësimin që i ka bërë kryedemokratit Basha si “një politikan çilimi me sjellje të papjekur”, Alimadhi shprehet se arsyet se pse i është drejtuar në mënyrë të tillë kanë qenë për shkak të termit “ballist” që kishte përdorur Basha.
“Ka qenë një moment në emisionin e Ilva Tares, ku Basha ka përdorur termin “ballist”. Unë nuk kam lejuar dhe nuk mund të lejojë askënd të përdor shprehjen “ballist” duke fyer identitetin e Ballit Kombëtar. Askush nuk mund të tallet me kontributin patriotik dhe kombëtar të Ballit Kombëtar, me ballistët që janë përbaltur, që janë diskriminuar padrejtësisht, këtë e kam ruajtur me fanatizëm.
Arsyeja pse iu drejtova Bashës ashtu është se pavarësisht historisë së bërë nga komunistët ai duhet të lexoi pjesën tjetër për të cilën sot arkivat dhe dokumentat flasin tërësisht ndryshe, dhe të thotë pastaj se kush është balli dhe “ballistët”.”
Në lidhje me mardhëniet me Bashën, Alimadhi shprehet se ka pasur një takim me kryedemokratin ku i ka bërë me dije se kjo parti nuk mund të përfshihet në të njëjtin “thes”, sikurse shprehet ai, me partitë e tjera politike dhe ti diktohet vendimmarrja politike.
Përsa iu përket arsyeve të cilat e shtyn atë që të bëhej pjesë e Kuvendit Alimadhi shprehet se vendimi i tij nuk ka të bëjë aspak me ndërkombëtarë por me problemet politike në vend, duke kërkuar të jap kontributin e tij në lidhje me këtë çështje.
“Nuk ka nevojë për servilizma, unë po ju them se së bashku me Ballin Kombëtar si parti nuk kemi dashur të fitojmë një mandate në këtë mënyrë. Mirëpo vendimi im ka ardhur në përputhje me idet e bashkëpunëtorëve të mi. Vendimi ka ardhur për shkak të lëvizjeve dhe gangrenës politike të formuar në vite midis palëve, me sharjet dhe goditjet e njëri-tjetrit pas shpine, ne kërkojmë ta shohim shqipërinë në një këndvështrim tjetër në interesin kombëtar. Mendoj se sot është epoka e Shqipërisë dhe shqiptarëve ku kauza kombëtare ka një llojë mbështetje. Vendimi im nuk ka të bëjë aspak me ndërkombëtarët, por me dëshirën për ti dhënë shërbimin tim dhe të Ballit Kombëtar vendit. Nuk është për çështje rroge… një gjë të3 tillë mund ta kasha bërë problem edhe më parë. Kjo është për t’i thënë Partisë Demokratike që sjellja juaj dhe ekujlibri juaj i drejtësisë nuk është ky. ”
I pyetur nëse kjo ka qenë një lloj hakmarrje ndaj PD-së, Alimadhi shprehet se nuk është kjo ideja dhe se Balli Kombëtar ka dashur t’i tregojë PD-së rrugën e duhur, sipas tij Balli demokracinë e mendon krejt ndryshe dhe se, sikurse shprehet ai, “demokraci me element komunist nuk shkon”. Ai thotë se ajo çka e lidh Ballin Kombëtar me PD-në është ideologjia politike.
Në lidhje me faktin nëse Balli Kombëtar do të hyjë si parti në zgjedhje, Alimadhi përgjigjet se është plotësuar dokumentacioni i nevojshëm dhe se do të ketë një prani të kësaj partie në zgjedhjet e qershorit.