Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

PPP-të e aeroporteve, efektet pozitive zbehen tërësisht nga rreziqet në planin afatgjatë 

Në kulmin e pandemisë dhe nën ethet e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, aeroportet kanë qenë një temë me vëmendje të veçantë për qeverinë. Pas zvarritjeve të vazhdueshme të procedurës për aeroportin e Vlorës, për të cilin, jo pak herë u lakua se kishte interes shumë të lartë, vetëm dy kompani paraqitën oferta, ku njëra nuk përmbushte asnjë kriter. Kompania tjetër, një konsorcium mes Mabco Construction (Mabetex Group – 50% të aksioneve), YDA – Group (48%) dhe 2A Group SH.P.K (2%) ofroi 104 milionë euro, duke u shpallur fitues.

Por nuk është vetëm Vlora, aeroporti i Kukësit, i cili është dhënë me koncesion 35-vjeçar, u bë në disa raste “podium” ku u nënvizuan premtimet e mbajtura dhe si kreu i qeverisë Rama, ashtu edhe ministrja Balluku thanë se në prill do të nisin fluturimet. Për ta ilustruar këtë konkretisht, nuk munguan edhe demonstrime fluturimi, kritikuar jo pak nga njohësit e sektorit.

Entuziazmi i qeverisë me aeroportet kulmoi së fundmi me aeroportin e Sarandës. Jo se projekti nuk ishte lakuar më herët, por ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës deklaroi se pritej që shumë shpejt të shpallej gara. Sipas saj, në momentin që nënshkruhej kontrata për Vlorën do të nisin procedurat për aeroportin e Sarandës dhe për ta çuar para si projekt.

Ende mbetet për t’u parë sesi do të jetë skema e aeroportit të Sarandës, pasi Kukësi dhe Vlora janë me trafik të garantuar. Kjo do të thotë se të ardhurat e munguara ndaj kompanive, në rast se nuk arrihet trafiku, do të paguhen nga buxheti me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Aeroporti i Vlorës, qeveria garanton 138 milionë euro për kompaninë

Ndërtimi i një aeroporti në Jug të vendit padyshim që ka anët e mira, ashtu sikurse mbart edhe rreziqe. Ervin Minarolli, ish-drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, shprehet se nëse projekti do të ishte më i vogël, do ta kthente më shpejt investimin e për rrjedhojë, do të kishte më pak ndikim në buxhet.

“Në qoftë se në Vlorë do të zhvillohej një aeroport modest, sigurisht që vlera e investimit do të ishte shumë e vogël dhe projekti më i justifikuar. Në çdo rast, duhet të kemi parasysh që pavarësisht dëshirës, aeroporti i Vlorës, jashtë sezonit veror, nuk mund ta konkurrojë Aeroportin e Tiranës, duke pasur parasysh dhe zonën e mbulimit për secilin prej tyre. Për më tepër që qeveria premton ulje me 25% të tarifave aeroportuale, gjë që e vështirëson dhe më shumë kthimin në kohë të investimit” – pohon Minarolli.

Vetë qeveria, në dokumentet e saj, pranon se një aeroport që nis nga green fjeld, pra ndërtohet nga e para dhe nuk ka të dhëna të sakta mbi pritshmërinë e trafikut, mbart rreziqe të larta. Mungesa e sigurisë për trafikun bëri të tërhiqej edhe kompania turke, e cila shfaqi interes në fazat e para kur u lakua aeroporti i Vlorës, në vitin 2018.

“Referuar të ardhurave totale të parashikuara në skenarët e studimit, vënë në dispozicion të Komisionit, shprehemi se ky projekt mbart risqe të larta për arsye se është një aeroport, i cili ndërtohet nga fillimi në një zonë të gjelbër (green field), dhe është e pamundur të parashikohet me saktësi trafiku dhe nuk ka një bazë të dhënash. Gjithashtu, sipas parashikimit të konsulentit, të kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor për kryerjen e studimit, vërehet një normë e ulët kthimi në rastin bazë, e cila arrin 9.23%.

Në këto kushte, në rast se do të vendoset të vazhdohet me zhvillimin e këtij projekti, atëherë autoriteti kontraktues do të marrë masat për të garantuar të ardhurat e parashikuara në skenarin bazë, pra të ardhurat e munguara, midis nivelit faktik dhe atij të parashikuar në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit” – thuhet në dokumentet e hartuara nga konsulenti për këtë projekt.

Referuar tabelës, parashikohet që të ardhurat e garantuara në skenarin bazë për 10 vitet e para të operimit të jenë 9.6 milionë euro në vitin e katërt, 10.3 milionë në vitin e pestë, 11.2 milionë për të gjashtin, 12.1 milionë për të shtatin e kështu me radhë, me një kulmim prej 18.6 milionësh në vitin e trembëdhjetë nga nënshkrimi i kontratës. Në total, të ardhurat e garantuara duhet të jenë rreth 138 milionë euro.

Në rast të tejkalimit të të ardhurave të parashikuara në rastin optimist, atëherë të ardhurat mbi nivelin e parashikuar do të ndahen në raport 50:50 me shtetin.

Këto parashikime janë bërë përpara periudhës së pandemisë, ndërsa nuk ka vlerësim se si do të ndikojë situata aktuale në trafikun e pasagjerëve.

Rreziku mjedisor në lagunën Vjosë-Nartë dhe dilema e sigurisë së fluturimeve

Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në zonën e Akërnisë, afër me lagunën Vjosë-Nartë. Projekti vlerësohet se seriozisht mund të kërcënojë biodiversitetin e zonës sipas ambientalistëve. Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, thotë se kërcënimi nuk është vetëm mjedisor, por fakti që ky është një korridor për shpendët shtegtarë, mund të kthehet në rrezik serioz edhe për fluturimet.

“Ndërtimi i aeroportit në brendësi të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë do të kishte pasoja shkatërrimtare për biodiversitetin e zonës dhe sidomos për shpendët folezues dhe migratorë, të cilët janë me mijëra në zonë. Për më tepër, prania e mijëra flamingove, pelikanëve, çafkave dhe shpendësh të tjerë të mëdhenj e rrit thellësisht rrezikun e përplasjes së tyre me avionët, çka përbën një rrezik serioz dhe për sigurinë e njerëzve” – pohon ai.

Trajçe nënvizon se në raportin e ruajtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit ekonomik intensiv duhet të kishte mbizotëruar i pari, të paktën në një zonë që ka statusin “zonë e mbrojtur”. Ai vlerëson se një aeroport mund të ishte menduar diku më larg kësaj zone dhe këtu t’i lihej vendi aktiviteteve më miqësore me mjedisin dhe me zhvillim të qëndrueshëm.

“Qartazi që, në zonat e mbrojtura duhet të mbizotërojë ruajtja e natyrës dhe jo të prioritizohen modele intensive të zhvillimit ekonomik. Vjosë-Narta është një zonë e mbrojtur që në vitin 2004 dhe si e tillë, duhet të orientohet drejt ruajtjes së vlerave natyrore dhe biodiversitetit dhe jo drejt zhvillimeve intensive ekonomike. Modelet e ekonomisë së qëndrueshme si eko-turizmi, agro-turizmi apo turizmi i natyrës në përgjithësi janë prevalente në zona të mbrojtura.

Ndikimi në turizëm, pozitiv; A ka logjikë ekonomike për dy aeroporte në Jug?

Një nga lobuesit më të mëdhenj për praninë e një aeroporti në Jug të vendit ka qenë sektori i turizmit. Tur-operatorët, në jo pak raste, kanë lakuar se shumica e agjencive të huaja shohin me dyshim zgjerimin e turizmit të organizuar drejt Jugut, edhe për shkak të kohës së gjatë të udhëtimit.

Megjithatë, në këtë aspekt, ndikon disi edhe mungesa e strukturave të mëdha të akomodimit. Sinjalet për një aeroport në Jug vlerësohet se mund të nxisin pikërisht investimet në struktura akomoduese me kapacitet të lartë në këtë rajon. Stela Dhami, Drejtore e Colliers International Albania, shprehet se kanë nisur interesimet e para për mundësitë e investimit në struktura akomodimi nga marka të njohura ndërkombëtare.

“Lajmi për aeroportin e Vlorës, patjetër që është një lajm pozitiv për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend. Shpesh kam cituar se pa pasur infrastrukturë turistike është shumë e vështirë që të tërhiqen drejt bregdetit shqiptar marka ndërkombëtare, të cilat do të përmirësonin prurjet e turistëve në Shqipëri dhe për rrjedhojë, do të ndikonin pozitivisht për imazhin e vendit.

Ndërtimi i aeroportit dhe komercializimi i tij, marrëveshjet me operatorë të caktuar turistikë, si dhe me agjenci ajrore të rëndësishme do të sillnin një fluks turistësh, nga i cili do të përfitonte e gjithë industria jonë e turizmit. ‘Colliers’, muajt e fundit, ka përfunduar një marrëveshje me një brand tjetër me 5 yje, i cili pritet të hyjë në Shqipëri në vitet e ardhshme, me një hotel prej 400 dhomash në zonën e Dhërmiut dhe mund të them me plot gojën, se aeroporti i Vlorës ka qenë një prej elementeve, i cili i ka bërë kompanitë të kenë dyshime mbi strategjinë e zhvillimit të turizmit.

Prandaj theksoj që lajmi për ndërtimin e tij është një shtysë e mëtejshme për ardhjen e më shumë markave prestigjioze në vend. Por e theksoj, që është shumë e rëndësishme me cilat agjenci fluturimi do të krijohen marrëveshje kontraktuale, sepse ato kanë në dorë të sjellin turizmin masiv drejt të cilit besoj se duhet të rrimë larg, apo turizmin më të qëndrueshëm” – nënvizon Dhami.

Gjithsesi, dilema në këtë rast, shtohet me aeroportin e Sarandës. Më herët kur është lakuar mundësia e një aeroporti në Jug, dilema ka qenë mes një aeroporti në Vlorë, Gjirokastër apo Sarandë. Prania e dy aeroporteve në një afërsi të tillë vlerësohet, sipas ekspertëve të fushës, si një risk për qëndrueshmërinë e tyre financiare.

Trafiku aktual, Italia mbetet destinacioni kryesor, me 50% të fluturimeve

Në vitin 2019, në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i vetmi deri tani u arrit rekordi i pasagjerëve prej 3.3 milionë. Që prej vitit 2012, që përkon edhe me hapjen e vizave, trafiku ka njohur rritje dyshifrore, që u përshpejtua sidomos pas vitit 2017, kur vendi filloi të kthehej në një destinacion të preferuar turistik për të huajt.

Në vite normale, Italia ishte destinacioni kryesor i fluturimeve me rreth 50% të totalit (kryesojnë Roma e Milano), ndonëse pesha e saj ka ardhur në ulje të lehtë vit pas viti, si rrjedhojë e shtimit të linjave drejt shteteve të tjera, si Gjermania, apo Mbretëria e Bashkuar.

Rritje njohën dhe çarterat, të nxitur nga turizmi. Në total, përmes çarterave fluturuan 324 mijë pasagjerë në 2019-n, me një rritje prej 10% me bazë vjetore. Avionët direkt nga Polonia përbënin pjesën më madhe të trafikut të çarterave. Hyrja e operatorëve loë cost, sidomos Ëizz Air solli dhe një rënie të ndjeshme të çmimeve të biletave.

Në 2020-n, tregu i udhëtimeve ishte më i godituri nga pandemia, me trafikun e pasagjerëve që u tkurr me 61%. Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana International Airport ka pohuar më herët për Monitor se rikuperimi do të jetë i ngadaltë.

“Edhe në skenarin më pozitiv, ekspertët nuk presin rikuperim në nivelet e 2019-s para vitit 2024. Por, ekziston një perspektivë shumë reale që kjo rimëkëmbje mund të zgjasë edhe më shumë, ndoshta deri në vitin 2029. Sipas planit të deritanishëm, shpresojmë të arrijmë në 1.7 milionë pasagjerë, nga 1.3 milionë pasagjerë në vitin 2020. Ky sigurisht që është skenari më optimist”.

Drejtori i TIA nuk e sheh si “kërcënim” Aeroportin e Kukësit. “Besojmë se në të ardhmen do të ketë rritje të kërkesës, pavarësisht efekteve të pandemisë në sektorin e turizmit. Shqipëria i ka të gjitha potencialet që të jetë më aktive dhe më atraktive, jo vetëm për sezonin e verës, por gjatë gjithë vitit. Parë në këtë këndvështrim, mendojmë se për vetë pozicionin e aeroportit të Kukësit do të jetë një vlerë e shtuar. Aeroporti i Kukësit përbën një rritje të rëndësishme të ofertës së fluturimeve në Shqipëri, veçanërisht për Veriun dhe për nga madhësia, mendoj se do të jetë një konkurrent i drejtpërdrejtë i Aeroportit të Prishtinës dhe Shkupit”.

Si konkurrent të drejtpërdrejtë ai sheh aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. “Pa diskutim që ndërtimi i aeroportit të ri në Vlorë do të thotë konkurrencë për TIA-n, në veçanti për të gjithë pasagjerët që jetojnë në Jug ose që udhëtojnë drejt Jugut. Të gjithë besoj jemi dakord me faktin që konkurrenca na nxit të jemi në përmirësim të vazhdueshëm dhe përmirësimi na bën edhe më konkurrues edhe përtej nesh.

Aeroporti i Vlorës do të jetë një destinacion turistik dhe shumica e pasagjerëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë sezonit të verës, veçanërisht ata që zgjedhin Jugun, do t’i drejtohen pikërisht këtij aeroporti. Kjo për ne është konkurrencë e drejtpërdrejtë, pasi gjatë sezonit të verës ne kemi dhe fluksin më të madh të pasagjerëve. Megjithatë, ne vlerësojmë se Shqipëria ka ende potenciale të pashfrytëzuara në sektorin e aviacionit civil.

Nëse i referohemi situatës aktuale të shkaktuar nga COVID-19, treguesit nuk janë pozitivë dhe rritja e konkurrencës do të na i vështirësonte paksa gjërat. Shpresojmë që kjo situatë të ndryshojë në të ardhmen. Jemi të bindur në potencialet që ofron Shqipëria, veçanërisht në sektorin e turizmit, dhe besojmë se në vitet e ardhshme, paralelisht me rritjen e investimeve në këtë sektor dhe zgjerimin e hapësirave akomoduese, do të ketë një rritje të vazhdueshme të interesit të turistëve të huaj.

Aeroporti i Vlorës, në këtë kuptim, do të jetë një aktor i rëndësishëm në rritjen e trafikut ajror. Shpresojmë që do të mund të rikuperojmë “humbjet” nga konkurrenca, me rritjen e përgjithshme të numrit të turistëve në të ardhmen”, pohon ai./Monitor

(E.H/Faxweb.al)

Për kë do të votoni në zgjedhjet e 25 prillit?

View Results

Loading ... Loading ...
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.